Tokio 2020

Asllani e dëshpëruar pas humbjes në finale

Sulmuesja mitrovicase, Kosovare Asllani, ka mbetur e dëshpëruar pas finales së humbur në Lojërat Olimpike të Tokios.

Të premten, reprezentuesja shqiptare e Suedisë humbi nga Kanadaja me rezultatin 3:2 pas penalltive, pasi koha e rregullt përfundoi 1:1. Asllani ishte asistuese në golin e parë.

Hedvig Lindahl priti dy penallti, por për suedezet nuk ishin të mjaftueshme.

“Jam lodhur nga medaljet e argjendta”, ka thënë e dëshpëruar pas ndeshjes Kosovare Asllani.

Pesë fitore rresht e dërguan Suedinë në finalen e dytë rresht në ngjarjen e Olimpiadës në futbollin e femrave, por u përsërit tregimi i Rios në vitin 2016.

Suedia ishte favorite për ta fituar, por ishte Kanadaja ajo që iu gëzua suksesit të madh në “Yokohama Stadium”.

“Në vitin 2016 ishte ndjenja që e fituam medaljen e argjendtë por tani kemi ndjenjën që e humbëm të artën. Është ndjenjë aspak e këndshme. Jam kaq shumë e lodhur me medalje të argjendtë. Nuk ka vlerë në sytë e mi”, ka thënë Asllani pas ndeshjes, e cila mbante medaljen në dorë, në vend që ta varte atë në qafë.