Tokio 2020

SHBA-ja në gjysmëfinale të garës së volejbollit

Pesë vjet pasi medalja e parë e artë Olimpike iu mohua në gjysmëfinale, ekipi i volejbollit të femrave të SHBA-së është kthyer në të njëjtën skenë me një fitore shumë të lehtë në çerekfinale.

Amerikanet ishin pa dy volejbolliste titullare, megjithatë, me lehtësi mposhtën Republikën Dominikane 3:0 në sete, 25:11, 25:20, 25:19 të mërkurën.

SHBA-ja do të luajë kundër Serbisë të premten për një vend që mundëson fitimin e medaljes së artë. Do të jetë ripërsëritje e gjysmëfinales, kur amerikanet para pesë vjetësh u mposhtën në Rio de Janeiro.

Kjo është hera e gjashtë në tetë Olimpiadat e fundit që SHBA-ja arrin deri në këtë fazë të garës, por ky shtet ende e kërkon medaljen e parë të artë në këtë sport.

SHBA-ja ka fituar medalje në tri Olimpiadat e fundit, të argjendtën në vitin 2008 dhe 2012, dhe të bronztën në vitin 2016.