Gjatë pesë Kampionateve Botërore dhe pesë edicioneve të Lojërave Olimpike, Hedvig Lindahl është motivuar nga kërkimi për sukses. Megjithatë, është bërë një mision për portieren suedeze, e cila ka vendosur se nuk do të tërhiqet nga futbolli aktiv para se të ketë një medalje të artë në qafë.
“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, tha Lindahl.
Ajo me padurim dhe me dëshirën më të madhe po e pret ditën kur përfundimisht do t’i varë dorëzat në gozhdë. Dhe, nëse Suedia e mposht Kanadanë në finalen e turneut olimpik të futbollit të femrave në Tokio të dielën, atëherë kjo do të jetë ndeshja e fundit për Lindahlin 38-vjeçare. Ajo po shpreson që ka ardhur koha për suksesin që po e kërkon tashmë një kohë të gjatë.
“Unë e kam bërë këtë për gati 20 vjet”, tha Lindahl. “Ne kemi mundësinë për të fituar diçka. Do të thotë shumë për mua. Kjo mund të nënkuptojë që unë kam mundësinë të heq dorë përfundimisht këtë vit nga futbolli dhe për t'u ndier sikur e lë këtë ekip në një pozitë të mirë”.
Lindahl nuk ka mungesë të medaljeve, pasi ka fituar dy herë kampionatin dhe dy herë kupën, me skuadrën e Chelseat dhe Wolfsburgut. Asaj i mungon çmimi i madh me ekipin përfaqësues . Kishte përfundime nënkampione në Lojërat Olimpike të fundit “Rio 2016” dhe në Kampionatin Botëror të vitit 2003. Dhe, ajo ka humbur gjysmëfinalet në Botërorin e vitit 2011 e 2019, si dhe në Kampionatin Evropian në vitet 2005 dhe 2013.
“Unë e kam bërë këtë për kaq shumë vjet dhe kam pasur kaq shumë shanse për medaljen e artë në Botëror apo Olimpiadë, por kurrë nuk e kam arritur qëllimin përfundimtar”, tha ajo. “Pra, nëse do të ndalesha më parë, pa ndonjë titull të madh, do të ishte si një dështim për mua. Unë dua ta fitoj një titull të bukur, i cili ka kuptim dhe të largohem si kampione”.
Lindahl e ka parasysh rëndësinë e ndeshjes finale kundër Kanadasë dhe është maksimalisht e motivuar.
“Jam vetëm unë që i bëj presion vetes”, tha ajo. “Kjo është një mundësi për të bërë histori dhe kjo është një histori që ju e tregoni për brezat. Dhe, ju keni nevojë për këtë për të frymëzuar brezin e ardhshëm për ta mbajtur futbollin e femrave të fortë në Suedi”.
Ndjenja e një perspektive më të gjerë vjen nga jeta në shtëpi me një grua dhe dy fëmijë, me të cilët mezi pret të kaloj më shumë kohë. Mund të ketë ende pak kohë për të luajtur në nivel klubesh, pasi sapo erdhi nga një sezon me Atletico Madridin.
“Ka gjëra që janë më të rëndësishme se futbolli”, tha ajo. "Unë jam shumë e etur për atë jetë, ku në të vërtetë mund të bësh çfarë të duash”.
Tani për tani, Lindahl ka një lojë tjetër për t'u përqendruar. Finalja kundër Kanadasë do të jetë ndeshja e 172-të për portieren, e cila debutoi te Suedia në vitin 2002. Ajo mbajti portën të paprekur në fitoren 1:0 ndaj Australisë në gjysmëfinale të hënën, pasi pësoi vetëm tri herë në katër ndeshjet e mëparshme në Lojërat Olimpike të Tokios.
“Ajo është një portiere e shkëlqyeshme, do të thosha një nga më të mirat që i kemi në botë”, tha kapitenia e Suedisë, Caroline Seger. “Ne kemi luajtur për shumë vjet së bashku dhe unë gjithmonë ndihem shumë e sigurt me të dhe të gjithë përvojën që ajo ka. Kështu që ndihem shumë e sigurt kur ajo luan. Unë shpresoj se ne mund të fitojmë një medalje të artë së bashku. Ajo ka folur për tërheqjen nga futbolli dhe do të ishte mirë nëse pensionohet me medaljen e artë në qafë”.
Në mënyrë ideale kjo do të lejonte që Lindahl të ishte një spektatore dhe jo një lojtare kur Kampionati Botëror i ardhshëm do të organizohet nga Australia dhe Zelanda e Re, pas dy vjetësh.
“Nëse ne flasim pas finales së Olimpiadës dhe e fitojmë medaljen e artë, atëherë përgjigjja është jo”, tha Lindahl, kur u pyet nëse ka gjasa të luajë në Botëror. “Mirëpo nëse nuk e fitojmë të artën, atëherë nuk i dihet së ardhmes”.