Olimpistja bjelloruse, që refuzoi urdhrin e ekipit të saj për t’u kthyer në shtëpi, është e sigurt pasi kërkoi mbrojtje nga policia japoneze, thanë zyrtarët e Lojërave.
Ata thonë se sprinterja Krystsina Tsimanouskaya, 24 vjeç, e kaloi natën në një hotel në aeroportin Haneda të Tokios.
Ajo thotë se u dërgua me forcë në aeroport të dielën pasi kritikoi trajnerët e skuadrës. Bjellorusia thotë se "gjendja e saj emocionale" ishte arsyeja për këtë lëvizje.
Republika Çeke dhe Polonia thonë se janë gati t’i ofrojnë asaj një vizë.
Thuhet se Tsimanouskaya tani po konsideron të kërkojë azil në Evropë.
Në konferencën e lajmeve të së hënës në Tokio, zëdhënësi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Mark Adams, tha se Tsimanouskaya është nën kujdesje të autoriteteve japoneze. Ai tha se agjencia e OKB-së për refugjatët ishte gjithashtu e përfshirë.
Adams shtoi se Komitetit Olimpik Kombëtar të Bjellorusisë i ishte kërkuar një raport i plotë me shkrim për këtë çështje. IOC dhe autoritetet japoneze gjithashtu do të mbajnë konsultime të mëtejshme.
Ai tha gjithashtu se IOC kishte marrë masa kundër komitetit bjellorus në prag të Lojërave, pas protestave të vitit të kaluar mbi rizgjedhjen e diskutueshme të presidentit të vendit, Alexander Lukashenko.
Komiteti Ndërkombëtar ndaloi disa zyrtarë, përfshirë djalin e presidentit, për dështimin në mbrojtjen e atletëve që ishin bashkuar në protesta.