Tokio 2020

Rruga e Nesthy Petecios, nga varfëria deri te medalja olimpike

Filipinet kishin pritur 125 vjet për medaljen e parë të artë olimpike, dhe tash mund të kenë dy brenda tetë ditëve, pasi Nesthy Petecio, ka arritur në finale të turneut olimpik në boks në kategorinë pendël.

Kampionja në fuqi e botës ka mundësi të madhe që pas peshëngritëses Hidilyn Diaz, të ngjitet po ashtu në maje të podiumit në “Tokio 2020”.

Pas fitores të shtunën në gjysmëfinale ndaj boksieres italiane Irma Testa, Petecios iu mbushën sytë me lot.

“Kjo do të thotë shumë për mua pasi nuk është vetëm ëndërra ime, por edhe e babait tim. Nuk është për mua, por për familjen time, shtetin tim dhe gjithë njerëzit nga Filipinet që janë lutur për mua. Ju dua shumë”, ka thënë Petecio në një intervistë për faqen zyrtare të Lojërave Olimpike.

E lindur në një familje të varfër në Santa Cruz, Davao del Sur, Petecio ka tejkaluar sfida thuajse të pamundshme për të kapërcyer për të arritur në maje të sportit, dhe ajo është inspirim për të gjithë.

Familja e saj merret me bujqësi, por kushtet ekonomike i kishte të rënda.

Modestia e ka përcjellë atë dhe e ka dërguar aq larg.

Ajo ka kaluar nga mbledhja e jashtëqitjeve të pulës deri te mbledhja e medaljeve në skenën më të madhe sportive në botë, dhe nga luftimi për ushqim te niveli sa për të ngritur gjithë shtetin në këmbë.

Babai i Petecios ,Teodoro, nëna Prescilla dhe familja e saj janë marrë me bujqësi dhe kanë bërë çdo gjë për të mbijetuar.

“Gjatë asaj kohe thuajse nuk kishim asgjë dhe merrnim para hua për të qenë në gjendje që të blenim ushqim”, tregoi Nesthy Petecio gjatë një interviste në maks.

Ajo luftonte për të siguruar ushqimin.

“Ajo që duhej të bënim ishte të merrnim pjesë në gara të lagje. Merrnim pjesë në to, pasi e dinim se pavarësisht nëse fitoj apo humbasë, do të sigurojmë ushqim”, ka treguar Petecio.

Luftërat e njohura si “inter-barangtay” në Filipine shpesh mbahen në fusha basketbolli, plazhe apo edhe ringje të improvizuara nëpër rrugë.

Babai i saj kishte ëndërruar të bëhej boksier dhe e kishte stërvitur atë nga mosha 7-vjeçare.

Në moshën 11-vjeçare, Petecio ishte përballur me një djalë dukshëm më të madh dhe më të fortë. Ajo prapë nuk ishte e frikësuar nga ta.

“Ata më thonin të ndaloja luftën dhe më pyesnin nëse mund të vazhdojë, por unë prapë thoja po mundem. Nuk kishte dyshime nga ana ime. Isha e vendosur në besimin tonë. Vërtetë doja të luftoja”, tregon Petecio.

Ajo fitoi dhe shpejt ra në sy të përfaqësueses së Filipineve në boks. E kuptoi shpejt se boksi mund të jetë rruga për të dal nga varfëria.

Shpejt erdhën mundësitë dhe medaljet ndërkombëtare.

Zuri vendin e dytë në Lojërat e Azisë juglindore në vitin 2011 dhe 2013, dhe vendin e tretë në Kampionatin e Azisë të vitit 2012. Përfundoi e dyta në Botërorin e grave në vitin 2014 dhe ishte kampione në Kupën e Presidentit të Indonezisë në vitin 2015.

Cikli olimpik i kaluar kishte përfunduar në zhgënjim, pasi dështoi të kualifikohej në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

E dëshpëruar nga humbja në Lojërat e Azisë të vitit 2018 dhe ndarja nga e dashura e saj, Petecio vuajti momentet më të ulëta. Ishte në depresion dhe gati sa nuk u largua tërësisht nga boksi.

“Kur humba luftën e parë në Lojërat e Azisë të vitit 2018, vërtetë doja të tërhiqesha nga sporti. Po shikoja punë. Po shikoja mundësi tjera. Në atë kohë po ndjehesha shumë ulët. Isha e depresionuar dhe e stresuar”, tregon filipinasja.

Asaj i duhej një pushim dhe i bëri mirë për të marrë veten.

Në vitin 2019, ajo u rikthye e vendosur dhe me një qëllim. Fitoi të artën në turneun Thailand Open, para se të fitonte titullin e saj të parë të botës.

“Fitimi i Botërorit 2019 më ka ndihmuar shumë. Sigurisht më ka rritur vetëbesimi”, tregon ajo.

Gara e radhës ishte ajo në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që u shty për një vit shkaku i pandemisë. Kjo i dha kohë shtesë Petecios për t’u përgatitur.

Filipinasja ka qenë e pandalshme në “Tokio 2020”.

29-vjeçare fitoi me vendim unanim ndaj kongolezes Marcelat Sakobi Matshu në luftën e parë, e më pas e tejkaloi një disavantazh të madh në gjatësi duke e mposhtur 3:2 Lin Yu-Tingun nga Taipei Kinez.

Petecio fitoi me vendim unanim 5:0 ndaj kolumbianes Yeni Arias, medalistes së bronztë nga Lojërat PanAmerikane. Ndërkohë në gjysmëfinale triumfoi 4:1 të shtunën ndaj italianes Irma Testa. Në finale ajo do të përballet me boksieren japoneze Irie Sena, që edhe vet ka shënuar histori, duke u bërë medalistja e parë në boks nga Japonia.

Petecio është gjashtë centimetra më e vogël se Sena, që është 164 centimetra e gjatë.

Ajo është vetëm një fitore larg nga shënimi i një faqe tjetër të historisë në sportin e Filipineve, dhe një kapitull tjetër në ngritjen e saj të jashtëzakonshme nga varfëria për në podiumin olimpik.