Një gol i vetëm i realizuar nga Matheus Cunha ishte i mjaftueshëm që Brazili ta sigurojë kalimin në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike “Tokio 2020” në konkurrencën e meshkujve në futboll.
Brazilianët dominuan në tërë pjesën e parë në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin Saitama, ndërsa golin e realizuan pak para fundit të pjesës së parë.
Pas topit të marrë nga Richarlisoni, 24-vjeçari Cunha me një prekje e dërgoi topin prapa shpinës së portierit egjiptian, Mohamed El-Shenawy.
Ishte edhe goli që e vulosi këtë ndeshje.
Brazili është kampion në fuqi i Olimpiadës, por mbrojtjen e titullit mund ta vazhdojë pa Cunhan, i cili u zëvendësua për shkak të lëndimit në muskul nëntë minuta pas pjesës së dytë.
Brazili është vetëm dy fitore larg për ta përsëritur suksesin e Argjentinës në vitin 2008, me dy medalje të arta rresht të fituara në Olimpiadë.