Tokio 2020

Në përpjekje për të frenuar koronavirusin, Olimpiada e Tokios mbledh shumë pështymë

Ata pështyjnë. Ata presin. Ata shpresojnë. Rreth 30 mijë njerëz nga shumë vende po pështyjnë në shishe të vogla plastike në Lojërat Olimpike të Tokios në një rutinë të përditshme që është bërë vendimtare për të vazhduar përpara me Lojërat e epokës pandemike, sipas organizatorëve.

Nëse bëhet një llogaritje e thjeshtë për kohëzgjatjen dyjavore të Olimpiadës, kjo shkon deri në gjysmë milioni mostra të pështymës të mbledhura nga sportistët, të cilët testohen çdo ditë, si dhe vende të tjera, në një përpjekje të jashtëzakonshme për të frenuar përhapjen e infeksioneve të COVID- 19.

Me rreth 1 mililitër për mostër, kjo do të ishte shumë pështymë. Në të kundërtën, testet e tilla kanë qenë prej kohësh të vështira për t'u gjetur për publikun e gjerë japonez. Japonia është unike midis kombeve të zhvilluara në dekurajimin e testimit të përhapur për koronavirusin. Mijëra mostra të pështymës së grumbulluar ruhen në tuba dhe identifikohen me barkod, të gjitha kalojnë nëpër teste paraprake.

Ata me rezultate të dyshimta kalojnë një raund tjetër testimi, sipas “Librit të Lojërave” të organizatorëve olimpikë, i cili përshkruan masat anti-COVID-19. Testet po bëhen në një strukturë të quajtur “Klinika e etheve”, e cila gjithashtu kujdeset dhe izolon njerëzit e infektuar brenda së ashtuquajturës "flluskë olimpike". Sapo të identifikohet ose dyshohet një infeksion me COVID-19, "kontaktet e ngushta" testohen gjithashtu për të identifikuar të tjerët që mund të jenë të sëmurë - një proces i fortë që bëhet nën kushte të kontrolluara.

Organizatorët nuk do të komentojnë mbi numrin e njerëzve që punojnë në klinikë. Këto teste nuk kërkojnë futjen e një shtupe në hundë, një metodë tjetër e përhapur e testimit për koronavirus. Testet për sportistët, zyrtarët e ekipeve, mediat dhe të tjerët të lidhur me Lojërat Olimpike janë falas për ata që i paraqesin ato, edhe pse ato vlerësohen të kushtojnë rreth 100 dollarë secili, thonë ekspertët mjekësorë.

Testet për anëtarët e publikut japonez në përgjithësi kushtojnë aq shumë, ndonjëherë më shumë. Disa ekspertë mjekësorë kanë shprehur shqetësimet se Olimpiada do të kthehet në një ngjarje “super-përhapëse” të koronavirusit. Rastet ditore të koronavirusit u rritën në Tokio në një numër rekord, duke arritur në tre mijë persona të infektuar këtë javë. Takanori Teshima, një profesor në Universitetin Hokkaido, i cili ndihmoi në zhvillimin e testeve të përdorura në Japoni, duke përfshirë ato në aeroporte, thotë se testimi i vazhdueshëm dhe i kujdesshëm i olimpistëve do të thotë që rreziqet qëndrojnë kryesisht në publikun e gjerë duke i bërë sportistët të sëmurë, dhe jo e kundërta .

“Siç e dini, jo të gjithë njerëzit do të dëgjojnë dhe do të qëndrojnë të izoluar. Dhe, kështu bërja e testeve mbi testet është mënyra më e mirë”, tha ai. “Por kjo është e mundur vetëm, sepse janë Lojërat Olimpike. Është joreale të mendosh se kjo metodë mund të vazhdojë si një rutinë”.

Shosuke Takeuchi, një mjek dhe drejtor i “Take Clinic Shimbashi”, një nga vendet më të mëdha të testimit të koronavirusit në Tokio, pranoi se testimi vullnetar mund të jetë i kufizuar në ndalimin e përhapjes së sëmundjes, sepse njerëzit, zakonet e jetesës së të cilëve i bëjnë ata më bartës të virusit, janë pikërisht ata njerëz që refuzuan të testoheshin. Testimi i shpeshtë në Lojërat Olimpike ka çuar në mungesa dhe disa ekipe kombëtare kohët e fundit u ankuan se pajisjet e tyre të testimit nuk kishin mbërritur. Organizatorët u përpoqën të siguronin pajisje shtesë.

Deri më tani, 23 sportistë, si dhe të tjerë që punojnë në Lojërat Olimpike, përfshirë banorët japonezë, siç janë zyrtarët e sigurisë, kanë rezultuar pozitivë. Gjithsej 225 persona në përgjithësi, që nga e premtja. Por shkalla e testimit pozitiv në Lojërat Olimpike ka qenë ende relativisht e ulët, në 0.02 për qind për korrikun, sepse më shumë se 340 mijë teste janë kryer deri më tani, sipas organizatorëve të Tokios.

Dhe vendet ku COVID-19 duket se po përhapet më shumë janë rrugët e mbushura me njerëz në Tokio, jo vendet olimpike të testuara me zell, thonë Teshima dhe ekspertë të tjerë. Masaharu Isobe, profesor në Laboratorin e Biologjisë molekulare dhe qelizore në Universitetin e Toyamas, i cili ka zhvilluar një test të shpejtë antigjen për COVID, thotë se testimi i rregullt përfundimisht mund të bëhet më i zakonshëm për të gjithë.

“Çështja është që të lokalizojmë njerëzit e infektuar sa më shpejt të jetë e mundur dhe t'i parandalojmë ata nga përhapja e virusit rreth e përqark”, tha ai.

Megjithatë, duke pasqyruar opinionin e përhapur, Masaru Kaneko, një ekonomist dhe profesor nderi në Universitetin Keio, thotë se testet padrejtësisht po iu jepen olimpistëve çdo ditë, por mbeten të vështira për t'u marrë për njerëzit e zakonshëm. Olimpistëve japonezë dhe stafit gjithashtu i është dhënë përparësi në vaksinim, ndërsa vaksinimi për njerëzit e zakonshëm ka ngecur, në rreth një të katërtën e popullsisë të vaksinuar plotësisht deri më tani, tha Kaneko në llogarinë e tij në “Twitter”.

“Barazia për sa i përket së drejtës për jetë nuk është e garantuar në Japoni”, tha ai.

Testimi i dikujt çdo ditë është një përpjekje e mundimshme dhe e kushtueshme, dhe, në Olimpiadë, kjo është një përpjekje e veçantë e mbështetur nga qeveria, tha Teshima.

“Është një kontradiktë e madhe. Pse vetëm sportistët duhet të testohen?”, pyeti Teshima.