Tokio 2020

Ohashi, ylli i papritur i Japonisë në Olimpiadë

Notarja pak e njohur japoneze Yui Ohashi qeshi me edukatë me sugjerimin se ajo mund të ishte bërë një nga yjet e Lojërave Olimpike të vendit të saj, në mungesë të Naomi Osakas. Ajo e hodhi poshtë këtë ide me mirësjellje.

“Unë me të vërtetë nuk ndihem si një yll”, tha ajo.

Ohashi nuk kishte fitore të mëdha dhe asnjë rezultat të rëndësishëm kohëve të fundit në Lojërat Olimpike të Tokios. 25-vjeçarja nga qyteti i vogël Hikone, mu në mes të Japonisë, nuk kishte asnjë pritje, por ajo e kishte një shans një herë në jetë të merrte pjesë në Olimpiadën që organizohej në vendlindjen e saj. Ohashi tani është një kampione e dyfishtë olimpike, duke fituar të dielën në 400 metra stil të përzier dhe të mërkurën në 200 metra stil të përzier, titujt e parë të mëdhenj të notit në karrierën e saj.

“Ende po më duket e pabesueshme. Nuk e di vërtet se a isha unë ajo që i fitova dy medalje të arta. Kjo është ndjenja ime”, tha Ohashi.

Me pak ose aspak pritje prej saj, Ohashi tani po bëhet gjithnjë e më e vetëdijshme për çështjet me të cilat përballen yjet japonezë si Osaka, e cila u eliminua herët nga turneu i tenisit shkaku i presionit.

“Ka shumë sportistë që po luftojnë me atë lloj presioni”, tha ajo duke folur posaçërisht për sportistët japonezë me emër të madh në Lojërat Olimpike të Tokios. “Unë kam qenë duke luftuar për një kohë të gjatë tashmë vetëm me notin, kështu që mbase nuk isha në dijeni të presionit”.

Por ajo kishte gjërat e veta për t’i kapërcyer. Ohashi pranoi se fakti që askush nuk priste medalje prej saj në Japoni ia vështirësoi dukshëm gjërat. Ajo ndihej sikur trajneri i saj të ishte i vetmi që besonte.

“Edhe kur isha në gjendjen time më të keqe, ai kurrë nuk hoqi dorë nga unë”, shtoi Ohashi.

Gara e së mërkurës u vendos në 15 metrat e fundit. Ohashi krejt në fund e kuptoi se ishte shumë afër, por ajo nuk po fitonte. Kështu që, vendosi të fuste kokën poshtë dhe të mos e ngrinte më për të marrë frymë derisa të prekte murin. Kur ajo e nxori kokën nga uji, e kuptoi se kishte fituar para amerikanes Alex Walsh për 0.13 sekonda.

“Doja të ndieja se kisha bërë gjithçka që munda për të fituar dhe jam shumë e lumtur”, u shpreh ajo.

Ohashi lëshoi ​​një buzëqeshje, ndërsa shijonte momentin e saj në pishinë. Ajo pastaj ngriti njërën dorë dhe bëri një shenjë “V” me gishtat e saj për të shënuar fitoren e saj olimpike.