Donjeta Sadiku nuk ka dhënë asnjë deklaratë në Kosovë për pritjet e saj në Lojërat Olimpike të Tokios, që për boksieren kosovare është pjesëmarrja e parë në këtë ngjarje të madhe shumësportëshe. E në raundin e parë të Lojërave Olimpike, Sadiku do të përballet me boksieren britanike, Caroline Dubois. Dubois është njëra prej boksiereve më të mira në Evropë në këtë kategori dhe fituesja e këtij meçi, në raundin e dytë do të përballet me boksieren amerikane Shakilya Quante Ellis. Por, Sadiku e kategorisë deri 60 kilogramë nuk ka folur as në Tokio me arsyetimin se i duhet qetësi për të qenë e gatshme për debutim. Megjithatë, Sadiku ka kohë që ka pritur paraqitjen në Lojërat Olimpike. Ajo në Tokio ka shkuar me ftesë, ndërsa muajin e shkuar nuk e shfrytëzoi rastin të kualifikohej me normë.
Boksierja më e mirë e Kosovës, Donjeta Sadiku, është mposhtur në ndeshjen e parë në turneun kualifikues që u mbajt në Paris të Francës. Sadiku 21-vjeçare u mposht nga boksierja suedeze, Agnes Alexiusson, me rezultatin 3:2. Me këtë humbje, boksierja më e mirë kosovare e humbi edhe mundësinë që të shkojë në Japoni për Lojërat Olimpike me normë. I kishte në program t’i zhvillojë dy meçe, e i janë dashur dy fitore në kategorinë e saj 60 kilogramë. Ky turne kualifikues nisi vitin e kaluar, por u ndërpre për shkak të përhapjes së koronavirusit. Sadiku e kishte fituar ndeshjen e parë ndaj gjermanes Maya Kleinhans. Përgatitjet për këtë turne kualifikues për LO “Tokio 2020”, Sadiku i kreu në Finlandë dhe Bullgari.
Ajo e ka të fituar një medalje të argjendtë në turneun e mbajtur në tetor, në Sofje të Bullgarisë. Suksesin më të madh e ka në vitin 2016, kur e fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian për të reja të mbajtur në Ordu të Turqisë.
Dy herë iu pamundësua pjesëmarrja në Botëror, një si juniore dhe një si seniore, që të dyja në Indi. Shteti indian ishte pengesë për të pasi nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Për dallim nga Sadiku, kundërshtarja e saj në raundin e parë, britanikja Dubois ka folur në prag të meçit me boksieren kosovare. Dubois për mediumet britanike ka pranuar se e ka përballë një kundërshtare të fortë në meçin e parë të kategorisë deri 60 kilogramë në Lojërat Olimpike të Tokios. Mirëpo, Dubois është e bindur jo vetëm në fitoren ndaj Sadikut, por edhe në rrëmbimin e medaljes së artë olimpike. Meçi mes Duboisit dhe Sadikut do të zhvillohet të martën.
“Shumë njerëz mendojnë se kam një meç të lehtë të martën. Donjeta Sadiku është një boksiere nga Kosova shumë e talentuar. Është më e vjetër se unë dhe ka më shumë përvojë. Në letër të gjithë mund të mendojnë se kjo luftë është tashmë e përfunduar, por ata po gabojnë”, është shprehur Dubois.
Ajo ka shtuar se përballë Sadikut e mendon vetëm fitoren. Gjithashtu, Dubois në Lojërat Olimpike e synon edhe medaljen e artë.
“Unë po mendoj vetëm për ta mposhtur Donjeta Sadikun të martën. Ky është fokusi im i vetëm, pasi dua ta fitoj medaljen e artë”, është shprehur Dubois.