Tokio 2020

Peshëngritësja Diaz fiton medaljen e parë të artë për Filipinet

Hidilyn Diaz e Filipineve u bë të hënën sportistja e parë në vendin e saj që ka fituar ndonjëherë medalje të artë olimpike, pasi triumfoi në kategorinë deri në 55 kilogramë në peshëngritje.

Në Olimpiadën e saj të katërt, 30-vjeçarja ngriti në total një peshë të kombinuar prej 224 kilogramësh, duke vendosur edhe rekord olimpik.

Liao Qiuyun e Kinës e fitoi medaljen e argjendtë me 223 kilogramë, derisa Zulfiya Chinshanlo doli e treta me 213 kilogramë.

Zëdhënësi presidencial i Filipineve Harry Roque tha në një deklaratë me shkrim se Diaz solli krenari dhe lavdi në Filipine.

“Urime, Hidilyn. I gjithë kombi filipinas është krenar për ty”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.