Tokio 2020

Fituesit e medaljeve olimpike marrin të drejtën të fotografohen pa maska

Descriptive Text

Sportistët që fituan medalje në fundjavën hapëse të Lojërave Olimpike të Tokios ndihmuan gjithashtu për të fituar një fitore fotogjenike për të tjerët, të cilën kanë për ta ndarë në dy javët e ardhshme. Disa prej sportistëve që fituan medalje të dielën injoruan plotësisht urdhrin nga organizatorët e Lojërave Olimpike për të mbajtur maska gjatë gjithë ceremonisë së podiumit. Duke parë këtë veprim të sportistëve, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) më vonë ra dakord ta lehtësonte rregullin e tij të rreptë të parafillimit të Lojërave Olimpike, të krijuar për të ndihmuar në mbrojtjen kundër koronavirusit. Kështu që, IOC-ja ka bërë të ditur se të gjithë sportistët që fitojnë medalje mund të pozojnë për t’u fotografuar pa maska dhe jo me maska siç ishte rregulli paraprak.

“Protokolli i ceremonisë së fitores është përshtatur për t’i lejuar sportistët të kenë një imazh për mediat, që kap fytyrat dhe emocionet e tyre gjatë një momenti unik në karrierën e tyre sportive”, thuhet të dielën në njoftimin e IOC-së.

Më herët gjatë ditës, organizatorët e LO “Tokio 2020” u kërkonin akoma fituesve të medaljeve që t'u bindeshin të gjitha rregullave origjinale dhe strikte. Kjo do të thoshte të mos përqafoheshin, t’i mbanin tërë kohën maskat dhe të mos afroheshin shumë për një fotografi në grup kur ishin duke qëndruar në podium.

“Nuk është një 'mirë ta kesh', është një 'duhet ta kesh'”, tha zëdhënësi i IOC-së, Mark Adams, për maskat në konferencën e përditshme për shtyp të mbajtur çdo mëngjes në Tokio. “Ne ndiejmë keqardhje për sportistët, por ka gjëra që për fat të keq na është dashur t'i bëjmë më të rrepta”.

Megjithatë, disa orë më vonë, rregullat u ndryshuan ndërsa ndiqnin ende këshillat shkencore, tha IOC.

Fituesit e medaljeve tani kanë një mundësi fotografie prej 30 sekondash derisa të intonohet himni kombëtar i atij që e ka fituar medaljen për të hequr maskën ndërsa qëndron në podium. Mirëpo, nuk lejohet që sportistët të bëjnë foto në grup gjatë qëndrimit në podium.

“Në asnjë moment gjatë kësaj kohe të kufizuar nuk duhet që sportistët të ftohen të bashkohen me njëri-tjetrin në platformën e medaljes së artë derisa qëndrojnë në podium”, vazhdoi njoftimi i IOC-së, që shpjegonte rregullat e reja. “Fituesit e medaljeve të argjendta dhe të bronzta bashkohen me fituesin e medaljes së artë në platformën e këtij të fundit për një mundësi fotografie me maska ​në fytyrë. Ata mund ta heqin maskën vetëm kur janë duke qëndruar vetë në podium dhe derisa intonohet himni për t’u fotografuar”.

Akoma, fituesit e medaljeve në garat e çiklizmit në rrugë për femra u bashkuan me njëri-tjetrin në një foto të lumtur, pa maska, në podiumin jashtë Tokios në “Fuji International Speedway” të dielën.

Gjithashtu, të dielën, numri i komitetit organizativ të lojërave të Tokios për infeksionet e lidhura me lojërat COVID-19 në Japoni këtë muaj u rrit në 137 raste, duke përfshirë 14 sportistë.