Melissa Seidemann mund të ishte larguar pas lojërave olimpike “Rio 2016”. Një kampione e NCAA-s në Stanford, ajo sapo kishte fituar medaljen e saj të dytë të artë rresht me ekipin e waterpollos së femrave të SHBA-së. Nuk kishte mbetur më asgjë për të dëshmuar. Por Seidemann ndërmori një qasje tjetër.
“Unë mendoj se kam qenë gjithmonë e motivuar nga natyra ime konkurruese. Unë gjithmonë kam qenë e motivuar nga shoqet e mia të skuadrës”, tha Seidemann. “Dhe, unë mendoj se kthimi im në vitin 2017 pati ndikim të madh në ekip. Doja që ekipi të ishte i motivuar dhe për këtë arsye u riktheva, ndonëse kisha fituar dy medalje të arta”.
Në ekipin e SHBA-së janë të lumtur dhe ndihen më të sigurt me kthimin e Seidemann, e cila forcon thellësinë e skuadrës në qendër - një nga pozicionet më të kërkuara në këtë sport me fizikun e saj përpara portës. Tjetra për Seidemann dhe bashkëlojtaret e saj është ndeshja hapëse në Lojërat Olimpike të Tokios kundër Japonisë, të shtunën.
“Ajo është dikush që ofron siguri në ekip me prezencën e saj”, tha sulmuesja amerikane Kaleigh Gilchrist. “Me Seidemannin para portës kundërshtare, jemi shumë më të forta dhe mund të ëndërrojmë medaljen e artë”.
Kjo rehati që Seidemanni e ofron për lojtaret përreth saj, ka bërë që trajneri Adam Krikorian ta sfidojë atë duke i kërkuar që të mos jetë vetëm lojtare, por më shumë si një lidere.
“Unë ia kam thënë këtë Melissas për vite me radhë dhe jam i lumtur ta them këtë publikisht”, tha ai. “Kur ajo është e angazhuar dhe e përkushtuar në këtë proces dhe udhëtim, ajo është një udhëheqëse e pabesueshme, një udhëheqëse dinamike. Kur nuk e kishim në ekip, ne kishim telashe të mëdha. Mirëpo, tani nuk i kemi këto telashe dhe futemi në Lojëra me optimizëm të madh”.
Seidemann është një vendase në Illinois, por ajo u rrit në Kaliforninë Veriore. Seidemann, një nga tri motrat, u bashkua me një ekip noti të komunitetit në Kaliforni, dhe një nga trajnerët e saj luajti waterpollo në Universitetin e Kalifornisë. Kështu, e filloi edhe ajo rrugëtimin e saj në këtë sport. Ajo shkoi nga shkolla e mesme “College Park” në Stanford, ku shënoi 239 gola, që përputhej me rekordin e shkollës. Ajo gjithashtu ishte fituese e çmimit “Cutino” në vitin 2013, që i jepet lojtarit më të mirë të kombit në waterpollo në nivel kolegjesh. Në një pishinë të mbushur me lojtare të forta, Seidemann shpesh ka për detyrë të pozicionohet brenda dhe të largojë kundërshtaret nga pozitat e tyre kur ajo është në mbrojtje. Nuk është për të gjitha lojtaret kjo detyrë, por funksionon për Melissan.
“Unë gjithmonë isha ajo që rrahja motrën time më të madhe. Gjithmonë e kisha një temperament të nxehtë”, tha një Seidemann duke qeshur. “Unë kam në pishinë një pozitë të mirë. Si sulmi ashtu edhe mbrojtja më përshtaten mua”.
Seidemann është e lidhur me familjen e saj dhe Tokio është Olimpiada e parë qëkur nëna e saj, Bobbie, vdiq në shtator, pasi ajo pësoi një goditje në tru për të tretën herë. Ajo ishte 63 vjeçe. Bobbie Seidemann gjithashtu pati një goditje në tru para lojërave olimpike “Rio 2016”, dhe Melissa ekuilibroi orarin olimpik me udhëtime në një spital në Brazil për të kaluar kohë me nënën e saj.
“E dija që nëse do të kisha ndonjë ndikim në ekip, unë do të isha atje kur skuadra ishte në pishinë”, tha ajo. “Kështu që unë thjesht bëra më të mirën time që ta dija se kur isha me familjen time, ajo ishte koha e veçantë. Dhe, unë isha mirënjohëse që e pata atë kohë. Dhe kur isha në pishinë, duhej të isha me ekipin”.
Kur COVID-19 prishi orarin e trajnimit në SHBA vitin e kaluar, i krijoi më shumë mundësi Melissas që të kalonte kohë me nënën e saj para se ajo të vdiste. E pyetur nëse kjo e ngushëllon paksa derisa përballet me humbjen e nënës, Seidemann u përgjigj: “Ishte një kohë e vështirë”.
Gjithashtu gjatë përgatitjes së saj për Tokio, Seidemann pranoi një punë të trajneres në shkollën e mesme “Corona del Mar”. Motra e saj e vogël, Natalie, gjithashtu është trajnere e waterpollos në shkollën e mesme në Kaliforni.
Kelly Rulon, një tjetër anëtar i ekipit olimpik 2012, ishte duke shërbyer si trajner i përkohshëm në “Corona del Mar”, dhe ajo foli me Melissa Seidemann për këtë pozitë. Seidemann ka qenë trajnere e futbollit në një klub dhe kolegj më parë.
“Unë e dua zejen e trajnerit. Unë gjithmonë kam dashur të punoj me fëmijë”, tha ajo. “Dhe, mendoj se do të jem e suksesshme edhe si trajner, sepse unë kam aq shumë njohuri për lojën dhe përvojë. Pra, është vërtet e lehtë për mua”, shtoi Seidemann.
Mirëpo, para se të fokusohet te sukseset si trajnerë, Seidemann është e vendosur për ta udhëhequr ekipin e SHBA-së drejt medaljes së artë në Tokio. E në rast të triumfit, Siedemann do të koleksiononte medaljen e saj të tretë rresht në Lojërat Olimpike.
“Megjithatë, tani në mendje kam suksesin me ekipin në Lojërat Olimpike dhe medaljen time të tretë të artë”, shtoi ajo.