Shteti i Afrikës Perëndimore, Guinea, ka konfirmuar se do ta anulojë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, duke ua shuar ëndrrën pesë sportistëve, që kishin siguruar paraqitjen në Olimpiadë.
Ministri i Sporteve, Sanoussy Bantama Sow, e ka njoftuar përmes një letre presidentin e Komitetit Olimpik të Guinesë, duke fajësuar ringjalljen e COVID-19 dhe varianteve tjera të virusit.
“Për shkak të ringjalljes së varianteve të COVID, Qeveria është e shqetësuar dhe për ruajtjen e shëndetit të atletëve të Guineas, ka vendosur me keqardhje të anulojë pjesëmarrjen e Guinesë në Olimpiadën e 32-të të planifikuar për Tokio”, thuhet në deklaratën e ministrit Sow.
Fatoumata Yarie Camara, e cila do të garonte në mundje, ishte shumë e trishtuar nga lajmi se nuk do të mund të realizojë ëndrrën e saj për t’u paraqitur në Lojërat Olimpike.
“Pyetja që i bëj vetes është pse Guinea ka vendosur të mos marrë pjesë në Lojërat Olimpike për shkak të koronavirusit, kur vendi organizator si Japonia nuk i ka anuluar këto lojëra për shkak të kësaj sëmundjeje. Pse? Kjo është ajo që unë pyes dhe unë ende nuk mund të gjej një përgjigje”, ka thënë Camara.