Tokio 2020

Çiklistët olimpikë shijojnë “flluskën” natyrore jashtë Tokios

Foto: AP
 

Zëri i indinjuar nga UCI, organi global drejtues për çiklizëm dhe disa dhjetëra çiklistë që do të garonin në ngjarjet e çiklizmit në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ishte i lehtë për t'u kuptuar. Propozimi origjinal i paraqitur nga organizatorët përfshinte një pistë prej 100 milionë dollarësh që do të ndërtohej në qytet, afër zemrës së Lojërave Olimpike, duke lejuar sportistët të shijojnë ndjenjën e plotë të Lojërave Verore. Ata do të kishin qenë në gjendje të brohorisnin për shokët e tyre sportistë në ngjarjet e tjera, të hanin në të njëjtat ambiente dhe të rrinin së bashku gjatë garave.

Por, organizatorët së shpejti kuptuan se mund të kursenin miliona nga buxheti, nëse në vend të pistës së re do të përdorej një pistë ekzistuese afër qytetit Izu, rreth 2 orë e gjysmë në jugperëndim të Tokios - në mënyrë efektive duke zhvendosur garat e çiklizmit në periferinë Olimpike. Gjithë kjo ndodhi para mbërritjes së COVID-19. Tani, ajo që dikur shihej si një pengesë për çiklistët që garojnë në Lojërat Verore është bërë një “flluskë” e dobishme. Çiklistët, në thelb janë në karantinë pasi janë vendosur në disa hotele pranë pistës, duke e bërë më të lehtë për ta për të kontrolluar kontaktet e ngushta dhe për të parandaluar përhapjen e virusit.