Tokio 2020

Sportistët sigurojnë kualifikimin, por mbeten jashtë Lojërave Olimpike

Si një nga luftëtarët e rangut më të lartë të taekwondos në botë, Jes readys Tortosa ishte gati të fillonte me paketimin e gjërave për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Ai ishte përgatitur për pesë vjetët e fundit për këtë ngjarje dhe kishte fituar të drejtën për të qenë në Japoni me rezultate, që i siguruan kualifikimin në Lojërat Olimpike.

Mirëpo, në vend që të bëjë udhëtimin në Tokio së bashku me pjesën tjetër të ekipit spanjoll, Tortosa po bën pushime në Republikën Dominikane pasi u përjashtua nga Lojërat Olimpike nga federata lokale e taekwondos. Edhe pse Tortosa është numri dy në botë dhe i katërti në renditjen olimpike, federata spanjolle zgjodhi një garues të rangut më të ulët për të shkuar në vend të tij bazuar në një “vendim teknik”. Tortosa, i cili tha se vendimi ishte më shumë politik, sesa teknik për shkak se babai i tij kundërshtoi presidentin aktual të federatës në zgjedhjet e fundit, është ndër të paktët sportistë që u kualifikuan për Lojërat Olimpike, por nuk do të lejohen të garojnë sepse në disa sporte olimpike vendimi përfundimtar për ekipin olimpik është në duart e federatave lokale. Raste të ngjashme ndodhën në ekipin anglez të badmintonit dhe në skuadrën ruse të skermës, dhe një çift alpinistësh japonezë, të cilët siguruan vendet e tyre vetëm pas një vendimi nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

“Po shkoj në pushime sepse nuk dua të shoh asgjë në lidhje me këto lojëra”, tha Tortosa 23-vjeçar, vetëm disa orë para se të hipte në fluturimin e tij për në Republikën Dominikane dhe vetëm një ditë para ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike të Tokios. “Unë dua të shkëputem plotësisht. Ishte një zhgënjim i madh që u largova nga ekipi edhe pse isha kualifikuar. Isha përgatitur për aq shumë kohë dhe jam tejet i zhgënjyer”.

Ai tha se u kap në befasi nga vendimi, i cili erdhi një ditë pasi ai kishte marrë vaksinën e tij për COVID-19 për të udhëtuar në Japoni. Ai që atëherë është shprehur hapur kundër federatës. Dhjetëra njerëz u bashkuan me të në një protestë në Spanjë muajin e kaluar.

“Jam në mesin e katër më të mirëve në botë, gjë që nuk mund ta arrijnë shumë sportistë dhe pastaj përfundoni të përjashtuar për shkak të një plani të paramenduar”, tha Tortosa, i cili bëri disa përpjekje që vendimi i federatës të ndryshohej, por nuk ia doli mbanë.

Ai tha se besonte se ishte lënë jashtë Lojërave Olimpike për shkak të kundërshtimit të babait të tij ndaj presidentit të federatës në zgjedhjet e fundit. Ai tha se babai i tij ishte një ish-trajner dhe u pushua nga federata disa vjet më parë, por më vonë e fitoi rastin në gjykatë kundër trupit lokal të taekwondos.

Federata tha se vendimi i saj u mor vetëm bazuar në meritat sportive. Ajo tha se drejtorët e saj teknikë ndien që zëvendësimi i Tortosas, Adrian Vicente, do t'i jepte Spanjës një shans më të mirë për të fituar një medalje në Tokio. Federata mohoi akuzat për ndonjë paragjykim politik.

“Komentet që nënkuptojnë se vendimet e marra nga drejtorët teknikë të federatës ishin të motivuara nga aspekte të tjera nga vetë sporti, janë të papranueshme”, thuhet në deklaratën e federatës spanjolle.

22-vjeçari, Vicente, renditet jashtë dhjetë më të mirëve në botë në kategorinë deri në 58 kilogramë. Ai ishte nënkampion në Kampionatin Evropian të këtij viti, por humbi nga Tortosa herën e fundit që të dy u takuan, në një garë që u mbajt vitin e shkuar në SHBA.

Vicente, i cili tashmë është në Tokio duke u përgatitur për debutim në Lojërat Olimpike, tha se ai nuk është prekur nga polemikat rreth emrit të tij, e as nga fyerjet që iu nënshtrua në mediat sociale kohët e fundit.

“Unë jam duke qëndruar i përqendruar në punën time”, tha Vicente.

Skermisti rus, Alexey Cheremisinov, i renditur i dhjeti në botë dhe i pari në Rusi, nuk u zgjodh në ekipin olimpik prej pesë garuesve të këtij sporti. Në vend të tij, u zgjodhën garuesit që renditen në pozitat 23, 36, 46 dhe 124. Trajneri Ilgar Mamedov tha se Cheremisinov kishte bërë stërvitjet e gabuara dhe për këtë arsye ka zgjedhur skermistët e tjerë. Ekipi anglez i badmintonit në çifte për meshkuj, Chris Langridge dhe Marcus Ellis, nuk do ta mbrojnë medaljen e tyre të bronztë nga Lojërat Olimpike të vitit 2016, pasi federata zgjodhi dyshen Ben Lane dhe Sean Vendy përkundër që janë të renditur më poshtë në ranglistë.

Dy alpinistë japonezë fillimisht nuk u zgjodhën për ekipin e Japonisë, Kai Harada dhe Miho Nonaka, që përfundimisht u siguruan vendet e tyre pas një vendimi të favorshëm nga CAS-i mbi procesin e përzgjedhjes së sportistëve. Ishte vetë shoqata japoneze e ngjitjes sportive që kishte shkuar në CAS kundër sportistëve të saj. Ka edhe raste të atletëve të rangut të lartë që humbin Olimpiadën në vendet që përdorin prova në vend të renditjes botërore për të përcaktuar ekipet e tyre. Kampioni i botës në 1.500 metra vrapim i Kenisë, Timothy Cheruiyot, i cili vendosi kohën më të mirë në botë këtë vit, fillimisht ishte jashtë Lojërave të Tokios pasi përfundoi jashtë tri vendeve të para në provat e Kenisë. Ai arriti të shkojë në Japoni pasi një tjetër atlet kohët e fundit u përjashtua nga ekipi për shkak të çështjes së dopingut. Tortosa, i cili ishte i pesti në Lojërat e Rios si një 19-vjeçar, tha se ai po konsideron ndryshimin e kombësisë për t'u siguruar që të ketë një vend në Lojërat Olimpike të vitit 2024, që do të mbahen në Paris.

“Unë do të shoh cilat janë opsionet e mia”, tha ai. “Tani për tani, unë vetëm dua të shkoj larg dhe të shkëputem nga çdo gjë”.