Tokio 2020

Futbollistet amerikane synojnë rikthim të fuqishëm pas humbjes befasuese nga Suedia

Starti befasues në turneun olimpik të futbollit për femra nuk i ka humbur shpresat e Përfaqësueses së SHBA-së, për ta fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. SHBA-ja, të mërkurën në ndeshjen e parës të fazës së grupeve që e luajti në Tokio, u befasua nga Suedia që e mposhti me rezultat 4:0. Me këtë fitore, Suedia ia ndërpreu SHBA-së, serinë e jashtëzakonshme prej 44 ndeshjeve rresht pa humbje. Për amerikanet, që ishin favorite në këtë ndeshje, humbja erdhi si një befasi e madhe. Në fakt, kjo disfatë mund të ndikojë pozitivisht në ekipin amerikan. Mbrojtësja Tierna Davidson zbuloi të enjten se Kelley O’Hara, kapitene, ka mbajtur një takim urgjent me ekipin në prag të ndeshjes së ardhshme, atë kundër Zelandës së Re që SHBA-ja e luan të shtunën.

“Ajo na tha se nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të dalim në fushë dhe ta fitojmë bindshëm ndeshjen tjetër. Ne duhet të tregohemi shumë të pamëshirshme, nëse duam ta rrëmbejmë medaljen e artë, që edhe është synimi ynë. Kështu që, humbja befasuese nga Suedia vetëm na ka forcuar dhe rritur besimin”, u shpreh Davidson.

Ka ende gjasa të mira, që SHBA-ja, si ekipi më i ranguar në botë, të kualifikohet në raundin e nokautit të turneut olimpik dhe të sigurojë një ndeshje për medalje. SHBA-ja është kampione e botës në fuqi dhe ka fituar katër herë medaljen e artë olimpike. Në Lojërat Olimpike “Pekini 2008”, SHBA-ja pësoi humbje në ndeshjen e parë nga Norvegjia (2:0), por në fund u stolis me medaljen e artë.

“Edhe në vitin 2008, ne e humbëm ndeshjen e parë, por në fund e fituam medaljen e artë. Ne tashmë, e kemi të qartë mesazhin. Duhet të reagojmë fuqishëm pas humbjes nga Suedia dhe nuk guxojmë të bëjmë edhe një gabim tjetër”, tha sulmuesja Christen Press.

Disfata nga Suedia, ishte e para për SHBA-në që nga janari i vitit 2019 kur pësoi nga Franca 3:1 në fazën e grupeve të Kampionatit Botëror, turne të cilin në fund e fitoi. Amerikanet në Tokio po e kërkojnë medaljen e tyre të pestë, më shumë se çdo komb tjetër, në një sport që u bashkua me Lojërat Olimpike vetëm në vitin 1996. Ato po synojnë të bëhen skuadra e parë e femrave që fiton medaljen e artë olimpike pas titullit të Botës. SHBA-ja nuk arriti të marrë medalje në LO “Rio 2016” pasi u eliminua në çerekfinale të turneut, pikërisht nga Suedia që e mposhti të mërkurën.

“Mendoj se ne tashmë e kemi marrë mesazhin. Nëse nuk i rikuperojmë pikët e humbura nga ndeshja e parë, atëherë do të shkojmë në shtëpi shpejt. Dhe, ne nuk duam të kthehemi në shtëpi pa medaljen e artë”, pranoi Megan Rapinoe.

SHBA-ja do të luajë në Saitama të shtunën kundër Zelandës së Re, ndërsa Suedia do të përballet me Australinë në kuadër të Grupit G. Edhe Zelanda e Re sikurse SHBA-ja, pësoi humbje në ndeshjen e parë, pasi u mposht 2:1 nga Australia. Me fitore në ndeshjen e parë të turneut olimpik, Suedia paralajmëroi se është një pretendente e fortë për medalje olimpike. Në Lojërat Olimpike të vitit 2016, Suedia e fitoi medaljen e argjendtë pasi pësoi humbje në ndeshjen finale nga Gjermania.

“Duhet të dëshmojmë se humbja nga Suedia ishte e rastësishme”, tha portierja amerikane, Hedvig Lindahl.

Në turneun olimpik të futbollit të femrave, janë tri grupe me nga katër ekipe. Dy ekipet e para nga secili grup dhe dy skuadrat e treta më të mira, do të avancojnë në fazën e nokautit të këtij turneu.