Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Skeja: Jo plotësim-ndryshim, por ligj të ri për shëndetin mendor

Bind Skeja, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nuk duhet bërë plotësim/ndryshime por një Ligj i ri për shëndetin mendor, pasi nuk janë adresuar problemet.

“Sot, janë dy probleme kryesore që i thanë edhe parafolësit e mi, do të thotë, nën një është problemi i shërbimeve sa ka shërbime dhe sa kanë qytetarët qasje në shërbime dhe nën dy është problemi i legjislacionit”, tha Skeja.

Sa i përket shërbimeve, ai tha se mungon shërbimi i trajtimit të personave që vuajnë nga varësia, trajtimi i fëmijëve që kanë çrregullime të shëndetit mendor, por edhe trajtimi në komunitet. Sipas tij, këto sjellin edhe probleme të tjera.

“Një gjë që është duke u rregulluar tash në Ligj është trajtimi i pavullnetshëm, që është ndoshta tema kryesore që duhet të rregullohet. E falënderoj edhe doktor Fatonin për kontributin e tij, pasi ka qenë bajagi produktiv gjatë këtij procesi. Por, nëse sot ky ligj ish dorëzuar në Kuvend, rekomandimi jonë si shoqëri civile ish kanë me kthyer”, tha Skeja.

Sipas tij, rekomandimi i parë i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie është të hartohet një Ligj i ri.

“Domethënë, jo plotësim/ndryshim por Ligj i ri. Në të njëjtin konkluzion bie edhe grupi punues për shëndetin mendor, rekomandimi kryesor që rrjedh prej aty. Opsioni tre është të hartohet Ligj i ri, për shkak se duhet me u shtuar goxha do nene, duhet t’i mbërthejë goxha do mangësi që nuk janë të reflektuara në Projektligjin aktual”, theksoi Skeja.