Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Mustafa: Qeveria ta eliminojë akcizën në disa produkte dhe ta ulë TVSH-në

Arben Mustafa, koordinator i Departamentit të Financave në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se Qeveria duhet të eliminojë akcizën në disa produkte dhe të ulë TVSH-në.

“Masat më urgjente, masat e menjëhershme që duhet me i ndërmarrë Qeveria janë eliminimi i akcizës për një sërë produktesh dhe reduktimi i TVSH-së, sidomos në produktet esenciale të konsumit dhe atë të naftës”, ka thënë ai në “Tempus” të KTV-së.

Mustafa ka shtuar se Qeveria ka bërë përpjekje përmes kufizimit të margjinës së profitit që të zvogëlojë çmimin, por ai ka thënë se konsideron se Qeveria është munduar t’i ikën problemit real duke e zhvendosur fajin te disa abuzues të çmimeve dhe se nuk kemi problem real me inflacionin.

“Ajo çka rezultoi ishte ulje e çmimin diku 5 cent në kohën kur u përcaktua ky kufi i margjinës dhe nuk prodhoi ndonjë efekt real për ekonominë. Ajo që duhet të bëjë Qeveria është që përkohësisht të heqë dorë nga akciza në produkte të naftës dhe të reduktojë TVSH-në të paktën prej 18 në 8% dhe në këtë mënyrë do të shpije në një zvogëlim të menjëhershëm të çmimit prej të paktën 50 deri 60 cent”, ka thënë Mustafa.