Valmir Ilazi, nga Iniciativa për Progres (INPO), tha se komunat projektet e mëdha i lënë për në fund të mandatit për shkak të fushatave politike. Ai theksoi se këtë vit pritet të ketë rritje të tenderëve sepse është mandati i fundit i kryetarëve të komunave.
“Këtë vit presim që të ketë rritje sepse është edhe mandati i fundit i komunave, i kryetarëve, pritet të ketë rritje sepse shumicën e projekteve i nisin në vitin e fundit të mandatit. Projektet më të mëdha ato më të dukshmet i lënë t’i nisin në vitin e fundit të mandatit, pastaj që gjatë fushatës të thonë se na duhet edhe një mandat që t’i përfundojmë projektet e nisura”, tha Ilazi gjatë debatit në emisionin “Tempus” në KTV.
Sipas tij, këto raste janë shqetësuese, derisa thekson se Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2022 kishte inicuar një tender në vlerë 12 milionë euro të quajtur “Arkitekti i qytetit”, por ai theksoi se për shkak të procedurave të stërzgjatura kontrata është nënshkruar një vit më vonë, në vitin 2023.
“Kjo është shqetësuese sepse vetëm Komuna e Prishtinës le të themi vitin e kaluar e nënshkroi një kontratë të negociuar të quajtur “Arkitekti i qytetit” në vlerë 12 milionë i iniciuar në vitin 2022, por për shkak të procedurave të stërzgjatura u nënshkrua në vitin 2023, edhe kjo procedurë u përcjellë me shumë mungesë të transparencës”, potencoi ai.
Ilazi thotë se në këto raste nuk mund të bëhen as ankesa pasi që komuna dhe kompania fituese e tenderit si palë kanë bërë marrëveshje, por që sipas tij në këto raste kompanitë mund të dërgojnë ankesa vetëm për mospjesëmarrje gjatë procedurave të pranimit të tenderëve.
Edhe
Kërkohet hetim mbi “Arkitektin e Qytetit”, Komuna e Prishtinës e arsyeton
Ilazi: Të hetohen kontratat e negociuara
Ilazi tha se duhet të hetohen kontratat njëburimore nga Prokuroria apo nga instancat tjera.
“Duhet të hetohet kjo çështje qoftë prej Prokurorisë, qoftë prej instancave tjera, qoftë prej Agjencisë anti- Korrupsion me të cilën do të mund të vije edhe përgjigja në pyetjen se pse vetëm një operator ekonomik po thirret për t’u negociuar”, tha ai.
Sa i përket komisioneve të cilat bëjnë hetimin e kontratave të negociuara, Ilazi theksoi se është shqetësuese edhe serioziteti i tyre, por megjithatë ai potencon se duhet një reagim me i gjerë dhe i menjëhershëm për këto raste për të parë nëse kontrata janë duke i fituar të njëjtët operatorë ekonomikë.
“Kur vjen puna tek komisionet, në mënyrë për t’u hetuar mbetet shqetësuese edhe serioziteti i këtyre komisioneve, por megjithatë duhet një reagim edhe më i gjerë edhe i instancave tjera të Republikës së Kosovës, duhet një reagim i menjëhershëm, sepse për t’u shqyrtuar më mirë nëse janë duke u përsëritur edhe operatorët e njëjtë të cilët i marrin këto kontrata, po e zëmë për furnizim me ushqim në Ministrinë e Mbrojtjes e kemi radhazi një operator i cili merr kontrata milionëshe dhe negociohet i njëjti operator, shtrohet pyetja se pse është vetëm ky për furnizim apo nuk ka operatorë të tjerë”, thotë Ilazi.
Edhe
Më 2023, gjysma e kontratave u negociuan. Ngrihet dyshim për keqpërdorim buxheti
Në emisionin “Tempus“, ai tha se kontrata e negociuar nënkuptojnë çmim më të lirë, por sipas tij, në këto raste çmimet janë më të larta.
“Negocimi do të duhej të nënkuptonte çmim më të lirë, por në këtë rast po del që kemi çmime më të shtrenjta, oferta më të shtrenjta kështu që mbetet të shihet”, potencoi tutje ai.