TEMPUS

Gashi: Me Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim s’mund të ketë më ndërhyrje të drejtpërdrejtë

Naim Gashi

Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, tha se me Ligjin për këtë Agjenci, nuk mund të ketë ndërhyrje të drejtpërdrejtë pasi që ka procedura qoftë për llogaridhënie të drejtorit qoftë për atë të bordit.

Ai tha se nuk mund që politika të ketë një qasje në agjencitë e pavarura dhe profesionale pasi që ka kritere të cilat duhet të zbatohen.

“Ne nuk jemi institucion mbi ligjin, nuk jemi institucion që nuk bëjmë llogaridhënie, i raportoj edhe Ministrisë edhe Qeverisë, ndërsa KSHC i raporton edhe Parlamentit, jemi institucion llogaridhënës”, tha Gashi në një intervistë në “Tempus“.

Po ashtu, ai tha se njëra nga arsyet pse Agjencia e Kosovës për Akreditim është bërë pjesë e EQAR-it është funksionimi i Agjencisë në mënyrë të pavarur dhe se pa përkrahjen e Ministrisë së Arsimit, Qeverisë dhe Parlamentit, ka qenë e pamundur që të bëhet pjesë e EQAR.

“Një akreditim nuk mund të jepet pa një vlerësim të ekspertëve dhe nuk mund të merret pa një vlerësim të ekspertëve, përveç në rastet kur është e paraparë me ligj, kur institucionet deponojnë dokumente të falsifikuara”, tha Gashi.

Gjithashtu, drejtori i AKA-së tha se Agjenica ka edhe procedurat e monitorimit dhe procedurat pas-akredituese, ku monitorohen të gjitha institucionet e arsimit të lartë.

“Në institucionet ku hasim në shkelje gjatë procesit të monitorimit, përgatisim një raport dhe e dërgojmë te Këshilli Shtetëror i Cilësisë, i cili është i zgjedhur nga Parlamenti i Kosovës i cili ka kompetencën profesionale, me anëtarë akademikë ndërkombëtarë e vendorë, si dhe përfaqësuesi i studentëve dhe ata marrin vendime se si të procedohet tutje. Nga rastet më të ashpra që kemi pasur, është dërgimi i programeve në proces të rivlerësimit nga fillimi, në rastet kur KSHC ka vendosur që programi të shkojë në rivlerësim”, ka thënë Gashi. /BetimipërDrejtësi

 


Gashi: Kosova nuk ka një databazë reale mbi nevojat e tregut të punës

Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Kosova nuk ka një databazë reale mbi nevojat e tregut të punës dhe në mungesë të këtyre të dhënave, e kanë lënë në dorë të ekspertëve ndërkombëtarë që t’i vlerësojnë nevojat të cilat i ka tregu i punës për programe studimi.

Ai tha se gjatë procesit të akredimit, ekspertët ndërkombëtarë, përveç intervisimit të studentëve, intervistojnë edhe “tregun e punës”, pra mund të ftohen gjashtë ndërmarrës të cilët intervistohen nga ekspertët ndërkombëtarë dhe ata vlerësojnë nevojat të cilat i ka tregu i punës për programe të studimit.

Në bazë të këtij vlerësimi dhe në bazë të kapaciteve të cilat i ka programi, Gashi tha se ekspertët ndërkombëtarë i rekomandojnë bordit-përkatësisht Këshillit Shtetëror për Cilësi për numrin e studentëve të akredituar.

“Kurrë nuk ka ndodhë që Bordi i Agjencisë të lejojë kuota më të lartë në krahasim me rekomandimin të cilin e bëjnë ekspertët ndërkombëtarë. Mirëpo, ka pasur raste kur kuotat kanë mundur të ulen por jo me u rrit kuota më tepër sesa rekomandimi i ekspertëve”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, nuk dihen kërkesat për juristë apo ekonomistë dhe as kapacitetet.

“Mund të themi se kemi shumë juristë, por askush nuk e di se sa janë kërkesat për juristë ose ekonomistë dhe sa janë kapacitetet apo numri i të diplomuarve, ne zakonisht e shikojmë numrin e të regjistruarve, por duhet të shikohet numri i të diplomuarve. Duhet të marrim numrin e të diplomuarve në pesë vitet e fundit dhe në pesë vitet e fundit numrin e kërkesave në tregun e punës për një profil të caktuar dhe në bazë të asaj ne përcaktojmë numrin” ka thënë Gashi

Drejtori i AKA-së tha se këto të dhëna ende nuk i kanë dhe se kjo është barrë shtesë për Agjencinë e Akreditimit. /BetimipërDrejtësi

 

 


Gashi nga AKA: Problemi i kushteve në universitete nuk qëndron tek fondet, por në menaxhim

Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, tha se problemi i kushteve në universitete qëndron tek menaxhimi.

Gashi e tha këtë në “Tempus“ derisa përmendi disa shembuj rreth kushteve të fakulteteve në Universitetin e Prishtinës.

Fillimisht, ai the se në universitete publike ka një përparim shumë të madh.

“Për shembull e kemi Universitetin e Prishtinës. Për shembull FSHMN-ja edhe Fakulteti i Edukimit janë ndoshta vetëm 100 metra larg njëra-tjetrës, mirëpo Fakulteti i Edukimit i ofron të gjitha kushtet, ndërsa FSHMN-ja është shumë prapa sa i përket plotësimit të kritereve”, tha Gashi.

Po ashtu, ai tha se fakultetet e shkencave teknike qëndrojnë shumë mirë sa i përket kritereve. Kurse, në anën tjetër tha se Fakulteti Ekonomik qëndron ende në një objekt të vjetër ku biblioteka është e pa “update-ume”.

Mirëpo, ai tha se në përgjithësi ka një trend të përmirësimit të infrastrukturës.

Sidoqoftë, Gashi theksoi se problemi nuk qëndron tek fondet, por se problemi është tek menaxhmenti.

“Unë mendoj se nuk është problemi tek fondet. Fonde publike ka mjaft. Një institucion i arsimit të lartë që don me u zhvillu, domethënë problemi është komplet te menaxhmenti, nuk është problemi i fondeve. Fonde ka Ministria e Arsimit, fonde të llojllojshme, ka fonde donatorë ndërkombëtarë. Kemi për shembull ADA-në austriake, kemi fonde të ERASMUS-it, kemi fonde të Bashkimit Evropian”, u shpreh Gashi.

Sipas tij, e gjitha varet nga menaxhmenti i institucioneve të arsimit të lartë, sa ato janë të gatshme.

Gashi theksoi se në Agjencinë e Akredimit marrin fonde në SHBA, tek ADA austriake, në Bruksel, e lloje të ndryshme të fondeve. Tha se nuk kanë kapacitete absorbuese aq sa kanë mundësi të marrin fonde.

“Kjo krejt varet prej neve se sa ne jemi të zot për përgatitjen e projekteve, për aplikim në projekte, për zbatimin e tyre, për rekomandimin e tyre”, potencoi ai.

Drejtori tha se institucionet publike nuk mund të arsyetohen për mungesë të fondeve, pasi ka fonde të mjaftueshme.

“Domthënë sot institucionet publike nuk mund të arsyetohen për mungesë të fondeve, ka fonde të mjaftueshme, krejt varet sa janë ata të zot për absorbimin e tyre”, shtoi Gashi. /BetimipërDrejtësi


Gashi: Kriter kryesor për rianëtarësim në ENQA dhe EQAR ka qenë pavarësia institucionale dhe financiare e AKA

Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, tha se pavarësia institucionale dhe financiare ishte standardi më i vështirë për t’u plotësuar për kthimin në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) dhe Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë (ENQA).

“Në vitin 2020 ne e patëm krijuar një plan të aktiviteteve për zbatimin e 14 standardeve për anëtarësim, ose për kthim në ENQA dhe në EQAR. Standardi më i vështirë për t’u plotësuar ka qenë pavarësia institucionale dhe financiare”, tha Gashi në “Tempus“.

Sipas tij, kjo është arritur edhe falë vullnetit politik të kabinetit politik nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria, për të shtyrë përpara një draft-ligj i cili garanton pavarësinë institucionale dhe financiare.

Gashi po ashtu theksoi se me ligjin aktual nuk ka mundësi që të ndërhyret arbitrarisht, siç sipas tij, ka ndodhur në vitin 2018, kur agjencia ishte përjashtuar nga ENQA dhe EQAR.

Ai shtoi se tani procedurat e emërimit të bordit të Agjencisë janë identike me procedurat e shkarkimit.

“Tani domethënë procedurat e emërimit të bordit të Agjencisë, të cilin ne e quajmë Këshilli Shtetëror i Cilësisë, procedurat e zgjedhjes dhe procedurat e shkarkimit janë identike. Domethënë në Komisionin për Zgjedhjen e Anëtarëve të KSHC-së, vetëm një anëtar është nga Ministria e Arsimit, ndërsa të gjithë të tjerët janë jashtë Ministrisë”, u shpreh Gashi.

Sipas tij, aty tash bëjnë pjesë institucione të pavarura dhe se ndërhyrja është jashtëzakonisht e vështirë.

“Aty bëjnë pjesë Akademia e Shkencave dhe Arteve, janë shoqëria civile, donatorët ndërkombëtarë, janë konferenca e rektorëve, domethënë gjithçka është nga institucionet e pavarura dhe ndërhyrja e sërishme në agjenci është jashtëzakonisht e vështirë”, tha Gashi. /BetimipërDrejtësi

 


Gashi thotë se si pasojë e përjashtimit nga ENQA dhe EQAR, u dëmtua imazhi i sistemit arsimor

Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, tha se si pasojë e përjashtimit të kësaj Agjencie nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) dhe Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë (ENQA), u dëmtua imazhi i sistemit arsimor.

Gashi e tha një gjë të tillë derisa foli rreth procesit të akredimit të programeve dhe institucioneve arsimore, konkretisht rreth përjashtimit e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ENQA dhe EQAR në vitin 2018 dhe kthimit të saj më pas, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, ai tha se ndërhyrja kryesore ka qenë vendimi i kryeministrit dhe ish-ministrit të arsimit për shkarkimin e bordit të Agjencisë dhe ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë.

Më tej, ai theksoi se për rrjedhojë janë përjashtuar nga EQAR-i dhe më pas nga ENQA.

“…dhe kjo ndërhyrje është shikuar nga EQAR-i si humbje e autonomisë financiare dhe institucionale të Agjencisë së Akreditmit. Dhe për rrjedhojë ka rezultuar me një vlerësim, me një rivlerësim të parakohshëm i cili ka rezultuar negativ dhe për rrjedhojë ne fillimisht jemi përjashtuar nga EQAR-i dhe më pas edhe nga ENQA, këto dy institucione jashtëzakonisht të rëndësishme për rëndësinë e arsimit të lartë”, tha ai.

Kurse tha se më pas, standardet të cilat i kanë plotësuar për rianëtarësim kanë qenë shumëfish më të larta sesa në anëtarësimin për herë të parë.

“Problemi kryesor ka qenë që në vitin 2021 ENQA e ka rishikuar statusin e saj dhe kriteret e saj për anëtarësim shumëfish kanë qenë më të ashpra dhe periudha ose përpjekja dhe standardet të cilat ne i kemi plotësuar për rianëtarësim kanë qenë shumëfish më të larta se që kanë qenë në herën e parë”, tha Gashi.

Ndërkaq,  theksoi se imazhi i sistemit të arsimit të lartë në Kosovë dhe i shtetit të Kosovës ka qenë pasoja kryesore.

“Pasoja krysore ka qenë imazhi i sistemit të arsimit të lartë të Kosovës dhe i shtetit të Kosovës. Në vitin 2020 kur ka marrë detyrën e drejtorit të agjencisë, agjencia në agjencitë homologe dhe institucionet e Bashkimit Evropian që merren me sigurimin e cilësisë ka qenë si institucion i stigmatizuar për arsye se ne kemi qenë një vend i vogël, një vend i dalë nga lufta, ku qeveria jonë atëbotë, në vitin 2018, ka ndërhyrë në mënyrë arbitrare dhe e ka thy autonominë institucionale të institucionit”, deklaroi ai.

Andaj, Gashi tha se puna e tyre kryesore ka qenë largimi i kësaj stigme negative për institucionin dhe më pas fillimi i plotësimit të 14 standardeve një nga një.

“Domethënë ka qenë shumëfish më i vështirë kthimi sesa anëtarësimi për herën e parë”, shtoi ai.