TEMPUS

Behrami: Kurti u tregua i pabesë me SHBA-në, s’kemi pritur që do të jetë i besës në takim me PDK-në

Artan Behrami

Artan Behrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është treguar i pabesë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj nuk kanë pritur që të jetë i besës as në takim me PDK-në.

Behrami tha në “Tempus” se PDK-ja ka dalë prej vetes, duke u shprehur se e kanë ditur kur iu dërgoi ftesë se kush po iu dërgon ftesë.

“Një njeri që është treguar i pabesë ndaj aleatëve siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kemi pritur që ai do të jetë i besës në takim me ne. Ne e kemi ditur, por pavarësisht asaj jemi të interesuar që sa ma shpejt të kemi një Kuvend dhe sa ma shpejt të kemi një Qeveri”, tha deputeti i PDK-së.

Ai tha se PDK-ja është e interesuar që sa më shpejt të formohen institucionet, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve, sanksionet e BE-së, e të tjera.

“Kemi sfida shumë të mëdha të brendshme siç është rritja e çmimit të energjisë elektrike, siç është shporta, siç është rritë pasiguria në shkolla, jemi në sanksione të Bashkimit Evropian, kemi marrëdhënie përtokë me SHBA-në, kemi një Gjykatë Speciale e cila është e pamonitoruar dhe është duke shkelur të drejtat e njeriut çdo ditë sepse nuk ka asnjë institucion në Kosovë që krijon ndonjë mekanizëm që të paktën i monitoron këto shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Behrami.

Për shkak të shumë sfidave, ai tha se PDK-ja është treguar e gatshme të bëjë kompromise. Tha se insistimi në Albulena Haxhiun është insistim “për të krijuar një Avni Dehar të dytë”.

Sipas tij, Kurti iu frikësohet sfidave të brendshme, por edhe atyre të jashtme. Behrami thotë se Kurti as nuk do të marrë përgjegjësi, por as të lëshojë pe.

“Ai figurativisht e ka marrë Kuvendin peng, institucionet peng dhe Kosovën peng”, tha Behrami, duke shtuar se nuk i frikësohen Kurtit por faktit që, siç thotë ai, Kurti nuk kursen asgjë për të jetësuar idetë e veta.

 


Behrami tregon çka bisedoi me Grenellin: Ishte i informuar për ngjarjet në Kosovë dhe për Specialen

Artan Behrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në emisionin “Tempus” në KTV, tregoi se çfarë bisedoi me të deleguarin e presidentit Donald Trump për misione të veçanta, Richard Grenell.

Sa i përket vizitës me Grenellin, deputeti tha se ai dhe kongresmenët janë të informuar për ngjarjet në Kosovë dhe rrjedhën e Gjykatës Speciale.

“Pra, diskutimi ma shumë ka qenë i kësaj natyre”, tha Behrami.

Në SHBA, Behrami tha se ishte me qëllim që të bisedojë për shkeljet e të drejtave të njeriut që po ndodhin në Hagë.

“Pra vizita ime ka pasur këtë qëllim, me taku Kongresin, me taku përfaqësues shtetëror dhe njerëz me ndikim të administratës Trump për t’i shprehur shqetësimet edhe të qytetarëve, edhe të njerëzve këtu në Kosovë për shkelje masive të të drejtave të njeriut, për shkelje të procedurave, për shkelje të Konventave Evropiane, e cila nuk lejon që dikush të mbahet në paraburgim më shumë se një vit, ata janë tu u mbajt që 5 vite atje”, tha Behrami.

Edhe në Kongres, por edhe përfaqësuesit e tjerë, thotë se janë të interesuar ta mbështesin Kosovën në këtë drejtim, nëse merren iniciativa nga institucionet tona- të cilat do të kishin për qëllim hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

“Kosova në këto pesë vite, edhe kur është kriju Gjykata Speciale gjithmonë ka bashkëpunu me bashkësinë ndërkombëtare. Askush nuk është për zhbërje të Gjykatës Speciale sepse kjo është kundër interesit të Republikës së Kosovës. Krerët e UÇK-së e meritojnë një verdikt, por e meritojnë një verdikt fer dhe të paanshëm dhe për me siguru këtë, unë mendoj që ka nevojë për vizita të tilla”, tha Behrami.

Fillimisht, ai tha se humbjet e Kosovës nga sanksionet e Bashkimit Evropian janë të mëdha dhe të përditshme, duke shtuar se qytetarët po i ndjejnë çdo ditë këto humbje.

Deputeti tha se mospozicionimi i  Kosovës në ndryshimet e mëdha gjeopolitike, mund ta pozicionojnë në një vend dhe pozitë të disfavorshme në raport me Serbinë.

“Mendoj që kjo është një sfidë tepër e madhe. Për atë që unë mendoj dhe që është mendim personal, ka të bëjë edhe me Gjykatën Speciale”, tha Behrami.

Ai tha se jemi në shtatë muajt e fundit kur mund të kemi verdikt të Speciales, e cila mund ta ndryshojë rrjedhën e historisë së Kosovës dhe vetë shtetin.

“Sepse një shtet i cili është ndërtu mbi krimet e luftës, në parim është shtet ilegal. Edhe Serbia e ka të gatshme dosjen që nëse krerët e UÇK-së shpallen të fajshëm në Hagë, ata do t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pikërisht për ta apeluar këtë. Pra, na kanoset një rrezik tepër i madh, për të cilin fatkeqësisht në Kosovë nuk ka fokus, nuk ka pas fokus, sepse është shteti i vetëm në rajon që heronjtë e vet i ka trajtu jo si heronj por sikur kriminelë, ndërsa Millosheviqin që ka qenë kriminel i dëshmuar që ka bërë gjenocid në rajon dhe Ballkan, e ka trajtuar Serbia si hero”, tha Behrami.

Deputeti i PDK-së tha se pa institucione nuk mund të bëjmë disa gjëra për të krijuar parakushte që të jetë një gjykim fer dhe i paanshëm. Tha se kemi parë që mbrojtja e ka humbur çdo betejë.

Ai kritikoi edhe diplomacinë e vendit, duke thënë se është pothuajse inekzistente.


Jakaj: Pse nuk bashkëpunojnë partitë ish-opozitare dhe komunitetet për të dalë nga kriza aktuale?

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shtruar pyetjen pse partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe NISMA, përfshirë partitë e komuniteteve – nuk ndërmarrin një iniciativë të përbashkët për të dalë nga kriza aktuale, kur dihet se së bashku përfaqësojnë 52 deputetë dhe se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Jakaj ka rikujtuar se gjatë legjislaturës së tetë ka pasur bashkëpunim mes këtyre partive në çështje me rëndësi dhe ka theksuar se edhe tani do të ishte e arsyeshme të kishte një koordinim të ngjashëm.

“Kam një koment/pyetje: pse PDK, LDK, AAK e NISMA, kur dihet që janë 52 deputetë, nuk marrin iniciativë që të bashkëpunojnë ose të ndërtojnë qëllime të përbashkëta për t’i shmangur pasojat? Derisa dihet që LVV nuk i ka 61 vota dhe nuk i kanë votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pse nuk ka bashkëpunim mes partive ish-opozitare, kur e dimë që gjatë legjislaturës së tetë ka pasur bashkëpunim mes tyre në tema të rëndësishme?”- ka pyetur Jakaj.

Ai ka shtuar se një bashkim i tillë, që do të përfshinte edhe partitë e komuniteteve, do të mund të ndërtonte një platformë apo program për të dalë nga kriza aktuale.
 


Cakolli: Osmani s’ka asnjë kompetencë për të imponuar zgjidhje, maksimumi t’i adresohet Kushtetueses

Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka deklaruar se ndërhyrja e cilitdo aktor për të zbutur tensionet politike është e mirëseardhur, por nga aspekti kushtetues, presidentja nuk ka mandat për të gjetur apo imponuar zgjidhje në krizën aktuale.

“Përfshirja e cilitdo aktor që mund t’i zbusë gjakrat është i mirëseardhur, por në kuptimin praktik presidentja s’ka asnjë lloj mandati kushtetues për të gjetur dhe imponuar zgjidhje”, theksoi Cakolli në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai shtoi se maksimumi që mund të bëjë presidentja është referimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, në kuadër të përgjegjësisë së saj si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve.

Megjithatë, sipas tij, një lëndë e tillë rrezikon të mos zgjidhet brenda javës dhe mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, duke i shkaktuar Kosovës humbje të konsiderueshme kohe.

“Vetë hezitimet që i kemi parë te deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, që presidentja nuk mund të na imponojë zgjidhje, tregojnë një lloj frike se propozimi i një zgjidhjeje mund t’i vendosë ata në një pozicion të pafavorshëm politik” shtoi Cakolli.


Behrami: Letra e Kurtit për LDK-në është përçmuese, jemi në hall me të se është hileqar

Artan Behrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, në emisionin “Tempus” në KTV, kritikoi qasjen e partisë fituese, duke e quajtur përçmuese letrën drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe tërheqje taktike ftesën ndaj Partisë Demokratike të Kosovës për të shtyrë emrin e Albulena Haxhiut, ndërsa partitë e tjera i përshkroi si të përballur me një “hileqar” politik.

Behrami ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit në raport me situatën e krijuar pas zgjedhjeve, duke e quajtur atë një “hileqar” që nuk respekton rregullat dhe që vepron në funksion të interesave partiake.

Deputeti ka theksuar se për zgjidhjen e krizës politike duhet të ketë konsensus dhe dialog të mirëfilltë, e jo letra përçmuese dhe ftesa të njëanshme.

“Konsensusi dhe dialogu duhet të jenë në qendër. Letra që i është dërguar LDK-së ka qenë përçmuese, ndërsa ftesa që i është bërë PDK-së nuk ka qenë për të dalë nga kriza, por për të shtyrë një precedent të ri për emrin e Albulena Haxhiut”, deklaroi Behrami.

Ai shtoi se opozita është në një situatë të vështirë, pasi, sipas tij, përballë kanë një person ‘hileqar’.

“Ne si opozitë jemi në hall, sepse përballë kemi një hilexhi që nuk respekton rregullat. Ai është i përgatitur për gjithçka, por partitë si PDK, LDK, AAK dhe NISMA kanë hisen e tyre në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës dhe nuk duhet të dorëzohen përballë tundimeve autokrate të një njeriu që synon dominimin dhe kalkulon çdo ditë në interes të tij dhe të partisë së tij, e jo të Republikës së Kosovës”, theksoi Behrami.


Cakolli: Pozita e kryetarit të Kuvendit është e rëndësishme, me gjasë do ta zëvendësojë postin e presidentit

Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), theksoi rëndësinë e veçantë të pozitës së kryetarit të Kuvendit, jo vetëm si funksion udhëheqës i legjislativit, por edhe për faktin se në rast të pamundësisë për zgjedhjen e presidentit, kjo figurë pritet të marrë përkohësisht edhe kompetencat e Presidentit të vendit.

Cakolli ka vlerësuar se situata aktuale politike në vend, e krijuar pas zgjedhjeve parlamentare, paraqet një nga ngërçet më serioze institucionalisht, pavarësisht se nuk karakterizohet nga një kohëzgjatje e gjatë.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Cakolli theksoi se mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim politik pas zgjedhjeve ka pamundësuar çfarëdo zgjidhjeje konkrete për konstituimin e institucioneve.

“Ky është një prej ngërçeve më serioze që kemi pasur, jo për nga kohëzgjatja, por për shkak se kemi një krizë pa rrugëdalje në perspektivë. Lëvizja Vetëvendosje ka barrën kryesore të fajit, pasi nuk ka lënë hapësirë për bashkëpunim përmes një diskursi postelektoral”, ka deklaruar Cakolli.

Sipas tij, situata është mbajtur qëllimisht pezull, përfshirë edhe përpjekjet për ta kaluar procesin me votim të fshehtë në Kuvend. Ai ka kritikuar qasjen që i atribuon përgjegjësinë procedurave, në vend që të adresojë mungesën e konsensusit për emrat e propozuar.

“Problemi është që po tentohet të mos duket sikur po dështon emri, por dështimet e fundit t’i mbesin si faj procedurave,” shtoi ai.

Cakolli vuri theksin se ndryshe nga situatat e mëhershme, asnjëra nga palët politike nuk po tregon vullnet për të formuar institucionet. Ai nënvizoi rëndësinë e veçantë të pozitës së kryetarit të Kuvendit, jo vetëm si funksion udhëheqës i legjislativit, por edhe për faktin se në rast të pamundësisë për zgjedhjen e presidentit, kjo figurë pritet të marrë përkohësisht edhe kompetencat e Presidentit të vendit.

“Pozita e kryetarit të Kuvendit nuk është pozitë e rëndomtë institucionale. Në rastin tonë, është edhe pozita që me shumë gjasë do ta ushtrojë detyrën e Presidentit të vendit, qoftë për shkak të shkuarjes në zgjedhje apo në pozitën tranzitore nga përmbyllja e mandatit deri në zgjedhjen e presidentit të ri”, përfundoi Cakolli.


Behrami i PDK-së: S’ka votë për Haxhiun, i ndali fondet për mbrojtjen e Thaçit dhe të tjerëve

Artan Behrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se partia e tij nuk ka votë për Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, teksa tha se Haxhiu ka ndalur fondet për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i njohur dhe mendoj që është tepër përparimor. Kryetari Memli Krasniqi deri më sot ju ka përgjigjur çdo ftese për dialog dhe për kompromis. Dhe në takimin që ka pasur me deputetin Albin Kurti, e ka bërë të qartë pozicionin e Partisë Demokratike që për PDK-në është e pamundshme që të ketë votë për ndonjë anëtar të ish-qeverisë së tij, që nënkupton edhe për Albulena Haxhun”, tha Behrami në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai tha se mbrojtja e Hashim Thaçit dhe të tjerëve kanë probleme me financimin teksa po operojnë me minimumin e fondeve, e për këtë, fajtore sipas tij është vetë Haxhiu.

“Për ata që e dinë, Albulena Haxhiu është një nga ministret ka ndalur fondet për mbrojtjen e krerëve të UCK-së, që ka pamundësuar një mbrojtje dinjitoze në Hagë”, tha Behrami.
Deputeti theksoi se ka edhe një sërë arsyesh tjera që Haxhiu nuk duhet të jetë kryeparlamentare.

Ky post, tha se duhet të jetë figurë konsensuale, kurse Haxhiu, sipas tij, ka qenë më shumë epiqendër e përçarjeve. Tha se e njëjta ka hedhur edhe gaz lostjellës- duke atakuar institucionet e vendit edhe vetë Kuvendin.

“Partia Demokratike e Kosovës duke njohur politikat kamikaze të Albin Kurtit, duke e ditur se interesi i tij personal vlen më shumë se interesi i Kosovës. Duke e ditur se ai mund të ngrijë krytë edhe me këtë, ne kemi ofruar disa herë rrugëdalje për këtë krizë”, tha Behrami.

Ai shtoi se Krasniqi ia ka bërë të paqartë Kurtit se secili përfaqësues tjetër që nuk ka qenë anëtar i kabinetit qeverisës, mund të jenë të pranueshëm për PDK-në.

“Albulenën po e përdorë si cebe për t’i mbuluar krejt dështimet dhe krejt kërkesat e qytetarëve, duke filluar nga rritja  e cmimeve të rrymës, deri te sanksionet e Bashkimit Evropian. Ai pra po mundohet që të thotë se ja këtu në Kuvend është problemi dhe po mundohet t’i mbulojë problemet e tij. Që 20 vjet e kemi duru Albin Kurtin, edhe kur ka qenë kundër Rambujesë, e kemi duru edhe atëherë kur ka qenë kundër shpalljes së Pavarësisë, e kemi duru edhe atëherë kur ka qenë kundër flamurit, kundër himnit, kur ka gjuajt gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, e kemi duru kur është mundu të pengojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe demarkacionin në Kosovë, e kemi duru edhe kur e ka pengu liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në UNESCO dhe mendoj që ka ardhë koha që Kosova dhe opozita mos ta durojë më një njeri i cili tash e 20 vite gjithmonë ka qenë kundër rrjedhës normale të shtetit të Kosovës”, tha Behrami.