Amer Alija, koordinator i projektit të monitorimeve të gjykimeve për krime lufte – Fondi për të Drejtën Humanitare, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se kanë arritur t’i dokumentojnë 13 mijë e 535 viktima të luftës në Kosovë, ndërsa janë dënuar vetëm 70 persona.
“Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare me seli në Serbi, janë duke i dokumentuar krimet e luftës në Kosovë dhe sa i përket luftës në Kosovë, ne deri tani kemi arritur që t’i dokumentojmë rreth 13 mijë e 535 viktima, të cilët lidhen me luftën e Kosovës, saktësisht për periudhën ’98-2000”, tha Alija.
Lidhur me krimet që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë, Alija tha se janë mbajtur disa procese gjyqësore.
“E dimë që këto procese gjyqësore fillimisht kanë qenë në kompetencë të Tribunalit Penal për ish-Jugosllavi, i cili mandatin e vet e ka përfunduar në dhjetor të vitit 2017, masandej paralelish me Tribunalin e Hagës, këto procese janë zhvilluar edhe nga gjyqësorët vendorë, kanë qenë në Kosovë fillimisht prej UNMIK-ut dhe pastaj EULEX-it e tanimë gjyqësorit vendor, i cili ka pranuar kompetenca që nga qershori i vitit 2018”, shtoi ai.
I njëjti theksoi se këto procese janë zhvilluar edhe pranë gjykatave në Serbi dhe dy procese në Mal të Zi, lidhur me luftën e Kosovës.
“Në tërësi, lidhur me këto krime janë akuzuar rreth 215 persona nga të gjitha këto instanca, institucione gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare dhe janë dënuar vetëm 70 persona për krimet e luftës në Kosovë”, tha Alija.