TEMPUS

“Do ia mbajmë mend”, Ramadani flet për ‘kërcënimin’ nga Telekomi i Serbisë dhe kritikon KPM-në për vendimin

Valon Ramadani - LVV

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Valon Ramadani, në emisionin “Tempus” ka folur rreth ‘kërcënimit’ që Telekomi i Serbisë ka bërë duke thënë se “Do ia mbajmë mend”, duke aluduar në sulmin e Banjskës.

“E kam thënë edhe publikisht, e them edhe sot, ai vendim (i KPM-së) mu s’më ka pëlqy. S’më ka pëlqy ai vendim qysh është marrë për arsye se situata qysh ka qenë në atë kohë, ta bëjmë të qartë për opinionin është fjala për kërcënimin që e ka bërë Telekomi i Serbisë edhe në televizionin që e këqyri edhe unë në shtëpi. Ku neve na ka thënë se ‘do t’ua mbajmë mend’ pas sulmit në Banjskë. Aty e kuptoj që ka qenë vendim i përkohshëm por s’di pse s’e ka pas atë vullnet me kry brenda tre muajve atë temë dhe në fund u rregullu ajo çështje”, tha Ramadani.

Ramadani ka komentuar gjithashtu edhe vendimet tjera të KPM-së, duke thënë se KPM ka marrë vendime të mira, ku njëra ndër to është kodimi i disa programeve.

“KPM-ja ka marr vendime të mira, njëra prej tyre që më kujtohet është në vijë të asaj që është në mbrojtje të fëmijëve e që tash e kemi pjesë të ligjit e që duhet me përmend edhe këtë sot, por këto Reality Show, apo Big Brother siç i kemi. Është vendosur me rregullore dhe i ka bërë me kod dhe shumë mirë që i ka bërë me kod”, tha Ramadani.

Ai ka thënë gjithashtu se kriteri kur shpallet konkursi lidhur me numrin e anëtarëve, është më ndryshe se siç ka qenë deri tash.

“Te puna e numrit të anëtarëve prej 7 në 11, çka duhet me përmend sot këtu është që 4 fusha i kemi shtuar edhe kriteri kur shpallet ai konkurs për ato katër pozita është më ndryshe se siç ka qenë deri tash”, tha Ramadani. /BetimipërDrejtësi


Ramadani: Ligji mund të mos jetë i mirë, por jo anti-kushtetues

Valon Ramadani, Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, tha se Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), mund të mos jetë i mirë por jo anti-kushtetues.

“Po nuk është anti-kushtetuese numri, mund mos me kanë e mirë, po anti-kushtetuese nuk është, Gjykata Kushtetuese e sheh nëse është në harmoni me Kushtetutën ose jo”, tha Ramadani.

Deputeti Ramadani në “Tempus” tha se është i interesuar t’i sheh argumentet që Ligji i ri për KPM-në e shkel Kushtetutën.

“Bash jam i interesum me pa se cilat janë tri argumentet, bile një e kisha lyp se tri s’di a kanë me mujt me i gjet, cilat janë tri argumentet që qeky Ligj e shkel Kushtetutën”, tha Ramadani.

Sipas tij, është e sigurt se kjo është legjislatura që ka bërë plotësim- ndryshime më së shumti prej vitit 2008, pasi janë punuar 250 ligje, ndërsa gjatë punës ka pasur mundësi që të bëhen edhe gabime.

“Legjislatura që ka bë plotësim-ndryshime më së shumti prej tash s’po di prej mbas lufte, po prej 2008-ës është e sigurt, pse, se më së shumti që ka pas, ka pas 219, tash mos t’kapemi te numrat.., po kuptohet kur punon 250 ligje, kur i plotëson 250 ligje, kur i ndryshon, gabon”, tha Ramadani.


Ramadani: Prej 11 anëtarëve të KPM-së, 6 mund të jenë gra

Valon Ramadani, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, tha se nuk është e vërtetë që e kanë larguar kriterin për barazi gjinore nga Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave.

“Nuk është e vërtetë që është heq, bile është vendos kriteri gjinor, është vendos 50%. Aty thotë të respektohet Ligjji për barazi gjinore… 50% mund me shku, domethënë ne i kemi shtu më shumë sesa dy”, tha Ramadani.

I ftuar në “Tempus“, Ramadani tha se prej 11 anëtarëve, ai tha se mund të jenë 6 gra.

“50-50, tash kjo qysh rregullohet me… po pse mos me kanë 6 bre, edhe 6 mund të jenë gra”, shtoi Ramadani.

Deputeti thekson se e ka analizuar këtë çështje dhe ka dalë që është respektu kriteri gjinor.

“Te kjo çështje unë mund me fol me përgjegjësi të plotë, është heq se e kena diskutu këta në grup punues, se unë prej komenteve kur i kam lexu, kam mendu se najsen mundet me të ikë, se 120-130 nene aty s’munesh me i majt krejt përmendsh, e kam analizu kam thanë veç pak se qetu me gjasë paskemi bë një gabim. Kam hi e kam këqyr, kam thanë jo bre se këtu koka e shtume, edhe e kam thanë, kur e kena kalu amendamentin, kur ka kalu amendamenti kam thanë hej ta sqarojmë këtë çështje se nuk janë minimum dy qysh janë kanë, po është edhe më shumë sesa ajo ose është 50-50 por le ta kalon edhe 50-shin”, thotë Ramadani. /BetimipërDrejtësi


Rexha: Qeveria për dy vjet ka sulmuar mediat pa ndërprerë, nisur prej kryeministrit

Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se në këto dy vite Qeveria ka sulmuar mediat pa ndërprerë dhe në mënyrë publike, nisur nga kryeministri Albin Kurti.

“Tendenca e kësaj Qeverie ndaj mediave, na ju kena pa në praktikë çka keni bo, në këto dy vjet, dy vjet e gjysmë të gjitha sulmet e pandërprershme, deklarata publike, me organizim të fushatave denigruese ndaj gazetarëve, ndaj individëve, ndaj mediave, e keni bë vazhdimisht, publikisht, ka nisë qysh prej Kryeministrit Kurti kur i thotë një gazetari në një konferencë shtypi “se kjo pyetje është prej Serbisë, po vjen prej Serbisë”, që është absolutisht deklaratë e papranueshme, skandaloze, e rrezikshme për sigurinë e gazetarëve”, tha Rexha.

Sipas tij, edhe tendeca për mbyllljen e Klan Kosovës ka pasur për qëllim sulmin ndaj medias, pasi çështja e regjistrimit të këtij televizioni ka qenë çështje administrative dhe ka mundur të zgjidhet përmes një e-maili nga Ministria, por Rexha thotë se kjo është përdorur në aspektin nacional për ta nxitur bazën dhe për ta sulmuar median.

“Tendecën për ta mbyllur Klan Kosovën, një televizion, televizionin më të madh në Kosovë, regjistrimi që ka mund të jetë çështje administrative, po ju gjithçka e punoni në nivel nacional për me nxitë bazën e juaj zoti Ramadani, keni mund me çu një e-mail, mirëpo ju keni qenë të interesum me bë publike për me sulmu median”, shtoi Rexha.

Aithotë se gazetarët e televiozionit Klan Kosova janë vënë në rrezik shkaku i deklaratave nga Qeveria se kinse  të njëjtit punojnë për interesa të Aleksandar Vuçiqit dhe të Serbisë.

“Ju i keni akuzu gazetarët e Klan Kosovës, absolutisht i keni akuzu të gjithë me deputetë, e me krejt, ju iu keni thënë se punoni për interesa të Vuçiqit dhe Serbisë, ju u keni thënë gazetarëve të Klan Kosovës që punoni për interesa të Serbisë që është absolutisht e papranueshme, i keni vënë në rrezik”, tha Rexha. /BetimipërDrejtësi


Rexha i drejtohet Ramadanit: Fat që Jeton Mehmeti është kryetar i KPM-së, ju do donit dikë tjetër

Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), gjatë debatit në emisionin “Tempus” në KTV, iu drejtua deputetit Valon Ramadani, duke i thënë se jemi me fat që është Jeton Mehmeti kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

“Jemi me fat që është zoti Jeton Mehmeti kryetar, ju kishit deshtë me kanë dikush tjetër kryetar aty”, i tha Rexha, duke shtuar se i kanë parë qëndrimet publike që i kanë pasur.

“Ky Xhemë është paragjykim, sepse a e di kush e ka bërë këtë Bord, amo edhe këtë duhet ta pranosh ti Xhemë edhe dikush tjetër…”, ia ktheu Ramadani.

Kurse, Rexha ia ktheu se i kanë votuar pasi zgjedhen në Kuvend, duke shtuar se tash po propozojnë që kryetari të zgjidhet direkt nga Kuvendi në momentin kur i përfundon mandati e më herët është zgjedhur nga Bordi, por u replikua nga Ramadani, i cili i tha se nuk po thonë ta bëjnë sot.

“Shumë mirë që është bërë 4-vjeçar (mandati) edhe kjo nuk e cenon siç e tha edhe më herët që e cenon demokracinë dhe pavarësinë e mediave nëse është bërë 4”, tha Ramadani, duke theksuar se Bordi i KPM-së emërohet nga Kuvendi dhe kjo nuk mund të ndryshohet.

“Te puna e numrave, perspektiva ime është, e kam thënë edhe më herët, po e them edhe tash, unë mendoj që më lehtë nëse, nuk është qëllimi i kësaj Qeverie, më lehtë i bën 7 sesa 11, kjo është e sigurt, me 7 punon më lehtë se me 11 nëse është qëllimi, unë nuk po them që është qëllimi, por prej kësaj Qeverie e ke të sigurt që nuk është, e them me përgjegjësi të plotë”, tha Ramadani.

Ai tha se po i bëhet dëm institucionit ajo që po diskutohet, me arsyetimin se nuk po sheh asnjë argument bindës. /BetimipërDrejtësi


Rexhaj nga KPM: Sfida të mëdha në implementimin e Ligjit, kosto shtesë për të cilat në Kuvend u tha që s’ka

Faruk Rexhaj, ushtrues i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), tha se do të ketë sfida shumë të mëdha në implementimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

“KPM është institucion rregullator, kushtetues dhe rrjedhimisht është ligjzbatues. Kuvendi ka aprovuar një Ligj të KPM-së dhe KPM-ja është e obliguar që të njëjtin ta zbatojë. A ka sfida në implementimin e këtij ligji, unë mendoj që po. Domethënë, KPM-ja do të ketë sfida jashtëzakonisht të mëdha, kur bëhet fjalë për implementimin, për disa arsye”, tha Rexhaj.

Ai tha në “Tempus” se në miratim të Ligjit thuhe se i njëjti nuk përmban kosto financiare shtesë.

“Nëse ne kemi 11 anëtarë, detyrimisht një anëtar paguhet diku rreth 1 mijë e 500 euro në muaj dhe rrjedhimisht i ki me automatizëm katër anëtarë shtesë të cilët KPM-ja ka kosto shtesë financiare. Prandaj, janë mjetet e punës për këta anëtarë që do të punojnë në KPM dhe kompetenca shtesë të cilat i vihen KPM-së”, shtoi ai.

U.d kryeshefi ekzekutiv i KPM-së thotë se ky Komision aktualisht ka mungesë të resurseve humane.

“Bëhet fjalë për 30 persona të cilët punojnë si staf ekzekutiv në KPM me një ngarkesë jashtëzakonisht të madhe, ku kemi, kur e dimë edhe zhvillimin e medieve, mandej kemi mbi 200 të licencuar aktualisht që i ka KPM-ja. Mirëpo, pavarësisht kësaj ne kemi arritë si institucion deri tani të kemi transparencë të madhe në KPM, kemi nxjerrë edhe akte nënligjore, të cilat besoj se e kanë bërë një rregullim jashtëzakonisht të mirë për punën e medieve në përgjithësi”, tha Rexhaj.

Ai shtoi se nëse ky Ligj merr dritën e gjelbër nga Presidentja Vjosa Osmani, Kuvendi duhet të mendojë për shtimin e kapaciteteve në KPM.

“Unë mendoj që edhe gjatë punës që kemi pas me Zyrën e Kryeministrit në draft-ligjin që më herët është bërë për KPM, është kërkuar nga KPM që të dërgohet kosto financiare e implementimit të ligjit, aty personalisht kam kërkuar që KPM-ja minimalisht duhet t’i ketë edhe 27 punëtorë shtesë të KPM-së, duhet të ketë mjete financiare në mallra dhe shërbime shtesë, kapacitete të zyrave dhe të tjera që hyjnë në kuadër të këtij Ligji. Ne kemi jep një kontribut jashtëzakonisht të mirë në pjesë të caktuara të ligjit, komentet e KPM-së kanë qenë publike, të cilat i ka prezantuar kryetari i KPM-së në Komisionin për Administratë Publike dhe Media për dy ditë radhazi”, tha ai. /BetimipërDrejtësi


Zejnullahu: Me Ligjin për KPM-në, u rrezikua dukshëm pavarësia e rregullatorit

Ardita Zejnullahu, drejtore ekzekutive në Asociacionin e Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK), tha se me Ligjin për Komisionin e Pavarur për Medie, është rrezikuar dukshëm pavarësia e rregullatorit.

E ftuar në “Tempus”, Zejnullahu përmendi disa probleme kryesore të Ligjit për KPM-në,  i cili është miratuar.

“Në rradhë të parë është pavarësia e rregullatorit, e cila me ligjin e miratuar dje, është rrezikuar dukshëm me shtimin e numrit të anëtarëve prej 7 në 11, me zgjedhjen e kryetarit prej Kuvendit, është një çështje e cila shumë e ka rreziku pavarësinë e rregullatorit dhe në anën tjetër mandatet 4 plus 4, edhe është neni aty që parasheh se edhe në momentin kur i kalon mandati një anëtari të KPM, ai do të jetë aty me fuqi të plotë vendimmarrëse derisa Kuvendi nuk e zgjedh pasardhësin e tij”, tha Zejnullahu.

Po ashtu, Zejnullahu theksoi që ka pasur raste kur për më tepër se dy vjet nuk janë zgjedhur anëtarët e KPM-së dhe këtë e ka quajtuar tendencë shumë të rrezikshme për pavarësinë e rregullatorit.

Tutje, drejtorja ekzekutive e AMPEK-ut tha që gabimi i madh në këtë draft-ligj, ka të bëjë me mediet online, ku hartuesit nga direktiva i kanë marrë vetëm pjesët që iu kanë konvenuar, në mënyrë që mediet online të rregullohen gjithsesi nga rregullatori.

“Çështja e videove të mediave online prej rregulltaorit rregullohen vetëm në momentin kur ato janë siç quhen profesionalisht “standalone videos”, domethënë ato që nuk e kanë pjesën e tekstit të bashkëngjitur. Domethënë, ju me ligj keni bërë një lloj konfuzioni për këtë arsye edhe në opinionin ligjor edhe në reagimin e komisionerit për të drejtat e njeriut është që ligji…, po e thotë në opinion ligjor ekspertja, e thotë është në harmoni me direktivën, por ka devijime të mëdha prej standardeve evropiane”, tha Zejnullahu.

Ajo përmendi edhe përkufizimin e asaj se çka quajmë medie online, duke shtuar se nuk ekziston një përkufizim i tillë në Ligjin evropian.

Andaj, Zejnullahu tha se Ligjit i mungon qartësia ligjore dhe fuqizueshmëria dhe si pasojë do të ketë problem në implementim. /BetimipërDrejtësi


Rexha: Ligji për KPM-në është i një fryme anti-media

Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), tha se Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) me gjithçka që parasheh brenda tij, është i një fryme anti-media.

Sipas Rexhës, mënyra si është zhvilluar i gjithë procesi për Ligjin e KPM-së, sipas bashkësisë ndërkombëtare, raportit të ekspertes dhe vetë atyre, tregon se ka munguar përfshirja e shoqërisë civile, e akterëve-hisedarëve të vërtetë për të dhënë kontributin e tyre në këtë ligj.

Në “Tempus“, ai tha se janë ftuar vetëm një herë në një dëgjim publik dhe kanë pasur një takim në zyrën e Kryeministrit bashkë me Flutura Kusarin dhe Imer Mushkolajn nga Këshilli i Mediave të Shkruara, për të ofruar gatishmërinë e shoqërisë civile për të punuar bashkë. Pra, që ligji të dalë në versionin sa më të mirë.

“Dhe nuk ka ndodhur asgjë, jemi injoruar nga Qeveria e Kosovës derisa e kemi parë më 28 dhjetor të vitit të kaluar kur Qeveria e ka nxjerrë online, në fakt e ka miratuar Projektligjin për ta dërguar pastaj në Kuvendin e Kosovës. E gjithë mënyra se si ka shkuar procesi dhe qëllimi i këtij ligji me gjithçka që parasheh brenda është i një fryme anti-media. Fatkeqësisht, ky është vlerësimi ynë, është i një fryme që ka për synim zvogëlimin e pluralitetit medial në Kosovë, ka për synim kontrollin- disciplinimin në formën më të butë të mediave, sidomos mediave online”, tha Rexha.

Ai tha se problemi që në fillim ka qenë tek ideja që do të ketë një monitorim/kontroll, regjistrim të mediave online që përmbajnë përmbajtje të videove.

Sipas tij, kanë vlerësuar se nuk është koha e duhur për ta bërë këtë gjë ngase KPM-ja ka kapacitet për ta kryer këtë punë derisa monitorion, kontrollon dhe gjobitë televizionet dhe radiot.

“Shtimi i qindra portaleve online do të shërbente si ngarkesë. E dyta, KPM-ja nuk e ka asnjëherë pavarësinë e plotë nga politika. Natyrisht, do ta diskutojmë rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së, mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KPM-së me Ligjin e ri, që besoj do jetë pjesë e diskutimit në vazhdim e që ne besojmë që po bëhet me qëllim nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria për ta kontrolluar KPM-në politikisht dhe për t’i influencuar vendimet e saj kundër medieve në të ardhmen”, tha Rexha.

Sa i përket asaj që deputeti Ramadani tha se reagimi i AGK-së nuk i bën mirë vendit, duke përmendur linqet që janë vendosur në të, Rexhaj tha se për secilin ekzistojnë datat.

“Ato janë me data, do të thotë ka qenë një përmbledhje e të gjitha reagimeve. Pra, kushdo që hyn e sheh që ka ndodhur në maj një reagim, në qershor një reagim dhe atëherë kanë qenë ato propozime dhe e kam ditur që do ta përdorni gjithmonë këtë punë, është më e lehta sepse e keni ditur që është kaq i rëndë propozimi që të kenë partitë politike dhe grupet religjioze, të kenë mundësi të marrin licenca për hapjen e televizioneve”, tha Rexha.

Ai tha se është pritur që ky nen do të hiqet pasi për demokracinë siç është zhvilluar Kosova pasluftës, ka qenë e paimagjinueshme që t’i lejohet partive politike dhe grupeve religjioze të hapin televizione. Rexha tha se me këtë është e qartë që do të merret si shembull gjithmonë kjo.

Kryetari i Bordit të AGK-së shtoi se ndërkombëtarët kanë vlerësuar se Ligji nuk i përmbush standardet evropiane. /BetimipërDrejtësi


Ramadani: Nëse opozita ka argument për dërgimin e Ligjit për KPM në Kushtetuese, pse s’e tha deri tash

Valon Ramadani, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, tha se opozita ka të drejtë ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), por tha se nëse kanë pasur ndonjë argument, do duhej t’ua thonin deri tash.

“Në këtë rast, Projektligji që ka ardhë prej Qeverisë në Kuvendin e Kosovës ka pasur bukur ndryshime prej versionit kur ka dalë në fillim dhe sigurisht sot ka diskutime, ka pas diskutime pas kalimit edhe te ajo që u përmend se a do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Ajo nuk na takon neve, mund të shkojë në Gjykatë Kushtetuese, e ka të drejtën opozita, me të drejtën e tyre që ta dërgojë por çka unë ju them atyre që edhe nëse kanë një argument pse duhet me shku, pse s’na kanë thanë deri tash”, tha Ramadani.

Në emisionin “Tempus” në KTV, ai tha se as si deputetë e as si grup parlamentar, nuk është propozuar diçka lidhur me Ligjin.

“Por, kemi pas kritika sidomos këtu në fund edhe do të thotë janë të njëjtat me gjithë ato që i ka organizu, mirë që i ka organizu gjithë ato konferenca dhe gjithë ato kritika. Por, domethënë nuk ka pasur diçka të tyre, e unë nuk e di qysh kanë me argumentu nëse shkon në Kushtetuese”, tha Ramadani.

Deputeti tha se Kushtetuesja e sheh nëse këto nene janë anti-kushtetuese, por jo nëse dikush thotë që është anti-evropian.

“Se këtë, opinioni ligjor i zonjës… (ekspertes së BE-së) nuk e thotë. Nëse e merr e lexon, e sheh që në dy vende në ketë raport, përmendet që ky Projektligj, jemi t’u folë pa amendamentet. Në fakt në pjesën 19 dhe 39, te 39 e thotë qartë, që ky Projektligj është në harmoni me direktivën e vitit 2018 për këto çështje çka janë të rregulluara për Ligjin për funksionim të pavarur të mediave”, tha Ramadani.

Po ashtu, deputeti tha janë dy çështje në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës pas miratimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, të cilat nuk i bëjnë mirë vendit.

“Unë nuk e di me qëllim a pa qëllim janë dy çështje aty që për mua nuk është reagim si duhet dhe nuk mendoj se i bën mirë vendit. Aty ju referohet dy çështjeve që tashmë janë rregullu në amendament. Unë e kuptoj që për një pjesë të atyre që nuk e dinë qysh shkojnë amendamentet, por jo edhe organizimin qysh është AGK-ja se aty thotë që kjo është vegza çka nuk pajtohet Këshilli i Evropës ose BE-ja. E brenda asaj vegze e gjen, e sheh që njëra prej pikave kryesore thotë që partitë politike kanë të drejtë me pas televizion, në të njëjtën kohë edhe bashkësitë fetare. Ajo më nuk ekziston”, tha Ramadani.

Sipas tij, nga katër temat kryesore që i ka ngritur Forumi për Integritet i Informacionit, dy prej tyre janë marrë, dy prej tyre vetëm janë adresuar.

“Për shembull, është çështja që edhe në opinionin ligjor që e ka dhënë ekspertja, thotë që nuk keni bë kurgjo për luftën për dezinformim. Po, është e vërtetë që në atë pjesën e Projektligjit nuk ka pas por unë kam propozu amendament, ku KPM-në me këtë Ligj e kemi ngarku ta nxjerrë një rregullore, por nuk e nxjerr Kuvendi, e nxjerr KPM-ja në bashkëpunim me gjithë ato organizata vendore dhe ndërkombëtare”, tha Ramadani. /BetimipërDrejtësi