Profesori i Ekonomisë, Medain Hashani, deklaroi se Qeveria e Kosovës shtesat e ndara për ekonomitë familjare në vlerë prej 100 eurosh, i mori përmes faturave të rrymës.
“Një ekonomie familjare me njëfarë mënyre iu dha vitin e kaluar nga ana e Qeverisë një masë stimuluese prej 100 euro. Ajo masë stimuluese iu mor me faturë të rrymës. Ka qenë debat i vazhdueshëm që fatura e rrymës e cila ka qenë shumë e lartë muajin e kaluar dhe muajin dhjetor, është faturë që në njëfarë mënyre, e ka nxjerrë kjo Qeveri, e dha nga 100 euro ekonomive familjare”, tha Hashani, në emisionin “Tempus” në KTV.
Profesori i ekonomisë vlerëson se në Kosovë nuk ka ekonomi të mirëfilltë. Sipas tij, ekonomia nuk mund të orientohet nga eksporti, por mundësitë janë që të zëvendësohet eksporti.
“Ne nuk kemi një ekonomi të mirëfilltë, ne nuk kemi. Ne nuk mundemi me orientu ekonominë nga eksporti. Ne nuk kemi vend ku mund të eksportojmë, ne kemi një ekonomi në vend ku mund ta zëvendësojmë eksportin”, tha ai.
Zëvendësimi i eksportit, sipas tij, mund të bëhet duke hapur vende të reja të punës dhe duke investuar në ekonomi.
“Ne nuk mundemi me i bind sot me këto politika tatimore të cilat i kemi asnjë investitor që të investojë në Kosovë për shkak të politikave të papërshtatshme tatimore. Orientimi dhe fokusi i kësaj Qeverie duhet të jetë ekonomia, por kjo Qeveri nuk po din me bo me ekonomi dhe po krijon trazira politike që ta zhvendos vëmendjen e qytetarëve në politikë”, shtoi tutje ai.