1 perditesime
21:41

Azemi: 1.8 mln euro të dedikuara për digjitalizim të Inspektoratit të janë avulluar nga qeverisja e kaluar

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, tha se 1 milion e 800 mijë euro, të cilat sipas tij kanë qenë të dedikuara për digjitalizim të Inspektoratit të Punës, janë avulluar gjatë qeverisjes së kaluar.

Për këtë rast, ai thekson se e kanë njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti, por thotë se nuk ka pasur asnjë lëvizje që të tregohet e vërteta rreth kësaj vlere financiare.

“1 milion e 800 mijë euro janë avulluar nga qeverisja e kaluar, sepse kanë qenë të dedikuara për digjitalizim të Inspektoratit. Unë kam qenë prezent, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian ka qenë prezent, ka qenë kryeinspektori ku iu ka thënë a mundeni me na shpjeguar ku kanë mbetur 1 milion e 800 mijë euro, për këtë çështje ne e kemi njoftuar Kryeministrin e Kosovës, që janë avulluar 1 milion e 800 mijë euro. Është shumë e rëndë që nuk e kemi asnjë lëvizje deri më tani”, deklaroi Azemi në emisionin “Tempus” në KTV.

Lidhur me këtë deklaratë, ai thotë se bart përgjegjësi dhe mund të deklarohet edhe në Prokurori.

“Në momentin që unë e them këtë, Prokuroria mundet nesër me ardhë me më pyet”, u shpreh ai.

Shifrat e Inspektoratit për vdekjen e punëtorëve në vend të punës, Azemi i quan të trishta. Ai tha se gjatë vitit 2023 në vend të punës kanë vdekur 25 punëtorë.

“Derisa Inspektorati i Punës për vitin 2023, nëse nuk gaboj thotë i kemi 12- 13 raste, ne i kemi 25 raste të vdekjeve në vend të punës. Është përgjegjësi kjo që po e them, e them me emër me mbiemër, ngjarjen ku ka ndodh me datëlindjen e personit, me datën që ka vdekë dhe për çfarë arsye ka vdekur dhe ne i kemi 25 raste të vdekjeve në vend të punës dhe Inspektorati del me shifër 10-11, kjo me të vërtetë është e trishtë dhe është shumë e rëndë”, shtoi tutje Azemi.

Sipas tij, ka pasur raste kur raportet e vdekjeve në vend të punës brenda dy javëve janë ndërruar dy herë.

“Kemi pasur raste të vdekjeve ku raporti zyrtar i inspektorëve brenda dy javë dite ka ndërruar dy herë. Jo ka vdekur kështu, pastaj ka dal që ka vdekur kështu”, shtoi ai.

20:53

Azemi: Komuna e Prishtinës vitin e kaluar u mbeti borxh punëtorëve teknikë për 3 muaj e 20 ditë

Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se Komuna e Prishtinës vitin e kaluar iu ka mbetur borxh për 3 muaj e 20 ditë punëtorëve teknikë.

Këtë deklarim, Azemi e bëri në emisionin “Tempus” në KTV, teksa foli për grevën e punëtorëve teknikë dhe tha se greva nuk erdhi brenda natës.

“Është një risi që dua ta them sot se Komuna e Prishtinës këtyre punëtorëve me pagë 220 euro dhe 250 euro, vitin e kaluar u ka mbet borxh me 3 muaj e 20 ditë”, theksoi Azemi, duke shtuar se këtë informacion ia ka dhënë një punëtore e një shkolle, e cila sipas tij, e ka lënë punën pasi vuan nga sëmundja e kancerit.

Ai deklaroi se është e rëndë që Komuna e Prishtinës, të cilës i ka tepruar buxheti vitin e kaluar, t’ua vonojë pagat punëtorëve teknikë.

“Kjo të bën me dije që këta njerëz më së pari nuk kanë ndjenja njerëzore dhe unë sot e thash dhe prapë po e them, dikujt brenda Komunës së Prishtinës por vlen edhe për nivel qendror, sa ma keq për këta është ma mirë”, shtoi Azemi.

Ai tha se në rast se nuk iu plotësohen kërkesat, punëtorët do ta lënë punën, ndërsa theksoi se është pafytyrësi që këta punëtorë nuk janë trajtuar si duhet.

“Punëtorët e sektorit privat nuk janë ata që kanë qenë para një viti, nuk mund të ndahen nga vendet e tyre të punës aq lehtë, por gjithçka e ka përfundimin e vet, nëse del në fund të kësaj jave që nuk barazohen me punëtorë që paguhen nga Komuna e Prishtinës, sepse në të njëjtin vend punojnë punëtorët që paguhen nga Komuna e Prishtinës dhe në të njëjtin vend punojnë punëtorë që përmes kompanisë private punojnë në të njëjtin vend. Ai punëtor që paguhet nga Komuna e Prishtinës merr 390 euro neto, kurse këta punëtorë po themi që janë të barabartë në punë, marrin 230 euro, edhe ata pa stazhin e punës, pa ndonjë mbrojtje të arsyeshme ligjore, pa pushim vjetor sa i shkruan ligji, pa pushim mjekësor”, theksoi Azemi.