Viona Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se reforma në Këshillin Prokurorial është e domosdoshme dhe duhet të ndodhë menjëherë.
“Reforma në Këshill Prokuroral është e domosdoshme dhe duhet të ndodhë menjëherë. Duhet të ndodhë sepse ne vazhdimisht shohin në sistemin prokurorial një mostransparencë të mirëfilltë, pra kemi mungesë të transparencës”, tha Bunjaku.
Sipas saj, nga monitorimi që bëjnë në vazhdimësi, nëse e krahasohet Këshilli Prokurorial me Këshillin Gjyqësor, ky i fundit ka avancuar viteve të fundit.
Bunjaku tha se në bazë të monitorimit, menjëherë vërehet diferenca mes Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor.
“Në Këshillin Gjyqësor janë avancuar aktet normative që janë hartuar dhe aktet nënligjore që i ka bërë vetë Këshilli Gjyqësor dhe kanë arritur me mbërri tek një transparencë e mirëfilltë te publiku, ndërsa Këshilli Prokurorial ka ende ngecje brenda vetë sistemit, brenda vetë anëtarëve për shkak se nuk kanë një gjuhë të përbashkët si Këshill”, tha Bunjaku.
Ajo po ashtu tha se në sistemin prokurorial, ka mungesë të hetimeve të mirëfillta në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjë e cila thotë se përmendet edhe në Raportin e Progresit.
Bunjaku tha se reforma në sistemin prokurorial nuk do të arrihet të bëhet brenda këtij mandati qeverisës, për shkak se Komisioni i Venecias ka rrëzuar propozimin e Ministrisë për rritjen e numrit të anëtarëve të KPK-së në 19 anëtarë.
“Tanimë jemi shumë vonë me reformën në Këshillin Prokurorial, pavarësisht që është e domosdoshme, nuk mendoj që do të arrihet brenda kësaj qeverisje sepse është fundi i mandatit, pavarësisht që reforma mbetet e domosdoshme”, ka thënë Bunjaku.