1 perditesime
22:00

Shala: Padia për gjenocid s'do të vlerësohej në merita, fatkeqësi premtimi për familjarët

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se premtimi se do të paditet Serbia për gjenocid nuk do të shqyrtohej fare në merita, premtimi i tillë sipas tij është fatkeqësi për familjarët e viktimave.

“Ideja që vetë premtimi se do të paditet Serbia për gjenocid përderisa ne e dimë që Kosova nuk mund ta bëjë këtë juridikisht, nuk mund ta ngrejë një padi të tillë për shkak se do të hidhej si e palejuar, nuk do të shqyrtohej fare në merita dhe unë besoj që kjo është arsyeja sepse tash vonë e kanë kuptuar që kjo nuk bëhet”, tha Shala.

Sipas tij, që nga fillimi kur është prezantuar plan-programi i partisë, IKD-ja ka thënë se kjo çështje nuk bëhet.

“Mirëpo përtej kësaj, përtej një premtimi abstrakt, kjo është një fatkeqësi dhënia e premtimeve të tilla, për shkak se familjarët e viktimave të cilët presin me dekada drejtësi ata ndoshta nuk janë juristë profesionistë që ta dinë legjitimitetin e një rasti ose jo, dhe fatkeqësisht në njëfarë forme luhet me ndjenjat e atyre që në fund të ditës presin drejtësi për familjaret e tyre”, tha tutje Shala.

Po ashtu, ai ka theksuar se duhet të ketë një vetëdijesim ndërpartiak edhe në zgjedhjet e tjera që në asnjë rrethanë mos të jepen ideja abstrakte.

“Nuk është kjo ideja e parë abstrakte që është dhënë në Kosovë për këtë çështje, ka pasur edhe propozime që do të themelohet një Tribunal Ndërkombëtar në Kosovë, mirëpo po e ritheksoj se në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar që të fyhen ndjenjat e familjareve të viktimave që presin drejtësi me premtime të cilat që në start dihen që janë të paarritshme”, ka thënë Shala.

21:04

Shala: Kur Gjykata Komerciale nuk shoqërohet me buxhet, e pritshme të mos ketë rezultate adekuate

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se në momentin kur Gjykata Komerciale nuk shoqërohet me buxhet, është e pritshme të mos ketë rezultate adekuate.

“Në praktikë ndodh që vetëm është miratuar Ligji për Gjykatën Komerciale dhe nuk është shoqëruar me buxhet dhe në momentin kur nuk shoqërohet me buxhet, nuk ka se si të japë edhe rezultatet e pritshme”, tha Shala.

Ai tha se në raport me buxhetin nuk realizohen kërkesat.

“E kemi një Gjykatë Komerciale në letër që nuk mund t’i jap rezultatet në praktikë. Nëse e shohim për nga vlerësimi buxhetor se si i është bërë Projektligjit për Gjykatën Komerciale, në fakt më shumë probleme i ka shkaktuar sistemit gjyqësor sesa dobi për shkak se ka përcaktuar se cili është numri i nevojshëm për Gjykatën Komerciale, ndërkohë që këtë nuk e ka shoqëruar me buxhet”, tha Shala.

Ai tha se është dashur që sistemi gjyqësor t’i dobësojë pozitat tjera, për ta arritur atë limit në Komerciale.

“Nëse nuk gjenerohet me buxhet, është e pritshme që nuk do të ketë as rezultate adekuate”, tha Shala.

Ai tha se e sheh si pozitive pjesëmarrjen e opozitës në komision parlamentar për vettingun.

“Sa i përket inicimit të rasteve nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, nuk ka asgjë negative dhe për më tepër, përpos që është e drejtë kushtetuese, në disa raste është arritur të mbrohet e drejta kushtetuese përmes atyre kërkesave”, tha Shala.