TEMPUS

Gruda: Vettingu s’realizohet gjatë këtij mandati për faj të Qeverisë

Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se procesi i vettingut nuk realizohet gjatë këtij mandati dhe fajtore për këtë është Qeveria.

Ai tha se është lajm i mirë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kalimin e amendamenteve për vettingun.

“Mendoj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kalimin e amendamenteve të propozuara për vettingun është një lajm i mirë për Kosovën, për drejtësinë dhe për PDK-në ky është një hap pozitiv në drejtim të zhbllokimit të procesit të vettingut në Kosovë”, tha Gruda.

Ai tha se lajm i keq është që ky proces po ndodh në fund të mandatit qeveritar, pasi amendamentet kushtetuese kanë kaluar në vitin e fundit të mandatit qeveritar dhe tash i mbetet të dërgohet në Kuvend për votim.

“Kjo do të thotë që në këtë mandat qeveritar nuk do të ketë vetting. Pra, nëse votohen amendamentet shpejt e shpejt në 2-3 muajt e radhës, që unë besoj që do të jetë vështirë sepse duhen edhe votat e pakicës, prapë vettingu nuk do të arrijë të realizohet gjatë këtij mandati, që do të thotë se premtimi i kësaj Qeverie që do të kemi vetting gjatë këtij mandati, nuk do të realizohet”, shtoi Gruda.

Gruda theksoi se vettingu nuk realizohet për fajin e Qeverisë dhe jo për fajin e opozitës dhe Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast, përmendi se ministrja e Drejtësisë kishte sulmuar Gjykatën Kushtetuese.

Gruda tha se Qeverisë iu deshën dy vjet për t’i dërguar amendamentet në Kushtetuese. Ndërsa, theksoi se procesi është zhbllokuar me propozim të PDK-së dhe tha se nuk do të ketë vetting të plotë. Ai tha se PDK-ja e mbështet procesin dhe do t’i votojë amendamentet.

Sipas tij, Qeveria ka dështuar t’i realizojë të gjitha reformat e premtuara.

“Nëse i marrim në tërësi krejt reformat që i ka bërë kjo Qeveri, mund të themi pa asnjë dyshim që kjo është në tërësi një sipërmarrje e dështuar. Pra, komplet reformat në drejtësi kanë dështuar dhe nuk po realizohen”, tha Gruda.