1 perditesime
20:46

Hoti thotë se i është drejtuar Vuçiqit me letër për të marrë informacione për personat e zhdukur

Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se më 1 qershor i është drejtuar me një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilën ka kërkuar informacione dhe dokumente të arkivave, për personat e zhdukur gjatë luftës.

“Sa i përket deklaratës që ju e përmendët, më 2 maj të këtij viti është arritur dakordimi i një deklarate të të dyja shteteve, jo vetëm Kosovës, po Kosovës edhe Serbisë, sepse një dakordim nevojitet natyrisht të dy palët me qenë. Më 1 qershor unë i jam drejtuar me një letër zotit Vuçiq, Presidentit të Serbisë, për të marrë informacione, dokumente të arkivave, jo që ne dyshojmë që mund të ekzistojnë, por që jemi 100% të sigurt, sepse kanë qenë në media para disa vjetësh që janë riklasifiku, prej publike janë bo edhe një herë sekrete, edhe për 30 vjetët e ardhshëm dhe ne jemi sigurt që ato ekzistojnë të një brigade që ka operu në zonë të Drenicës dhe krimet që janë kry, janë kry prej asaj brigade”, tha Hoti.

Ai shtoi se ende nuk kanë marrë përgjigje as nga Serbia, as nga delegacioni i Beogradit dhe as nga presidenti serb Vuçiq e as nga kryeministrja serbe Ana Bërnabiq.

“Kjo është vetëm në zbatim të deklaratës, sepse deklarata këtë e thotë, kërkojmë arkivat, shkëmbejmë arkivat të dyja palëve. Njëjtën kohë i kemi dërgu letër edhe zotit Borrell, edhe zotit Lajçak, pikërisht për këtë në vazhdimësi, mos me thanë çdo javë, ndoshta çdo dytën javë ne kemi takime me ambasadorë të shteteve mike që operojnë, që janë në Kosovë domethënë, edhe presionin apo kërkesën e njëjtë edhe ndaj tyre e kemi që të lutem koha po mbaron, sepse ne jemi 24 vite mbrapa, të intervenoni në mënyrë të rrisni presionin apo kushtëzimin ndaj Beogradit zyrtar që t’i marrim këtë që po i kërkojmë”, theksoi Hoti.

Ai bëri të qartë se Komisioni Qeveritar i Personave të Zhdukur merret vetëm me identifikimin e personave të zhdukur dhe dorëzimin tek familjarët dhe jo me ndjekjen penale të kriminelëve

Hoti tha se me një vendim (kërkesë) të Kryeministrit Kurti, delegacioni i Kosovës nuk takohet me Veljko Odaloviq, kryetar i Grupit Punuese të Komisionit të Serbisë.


Hoti: Ligji për personat e zhdukur drejt finalizimit, brenda muajit kalon në Qeveri

Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Ligji për personat e zhdukur është duke u finalizuar dhe se brenda muajit kalon në Qeveri e pastaj në Kuvend.

“Ne jemi në finalizim të këtij ligji dhe besoj që brenda muajit edhe kalon në Qeveri edhe shkon në Kuvend të Kosovës. Është e vërtetë që familjarët, shoqatat, në këtë rast që i përfaqësojmë familjarët, kanë pas kërkesa të ndryshme në plotësim-ndryshim të këtij ligji. Baca Bajram është edhe anëtar i Grupit Punues të këtij ligji dhe, përveç tjerash të drejtës për të ditë kërkesave tjera, kërkesat kanë qenë edhe të lehtësirave që Qeveria e Kosovës duhet t’u ofrojë këtyre familjarëve dhe të trajtimit të pensioneve që atij ligji që është që e ndalon marrjen e dy pensioneve, natyrisht ka pas edhe kërkesa të largimit të asaj përqindjes nëse ke dy apo më shumë familjarë të personave të zhdukur apo edhe viktima, këto kërkesa të gjitha ne i kemi adresu”, tha Hoti.

Ai tha se Ligji për personat e zhdukur rregullon veprimtarinë e Komisionit Qeveritar për persona zhdukur.

Ndërsa, theksoi se imazhet satelitore për Kizhevak dhe Rudnicë i kanë marrë nga SHBA-ja dhe falë tyre kanë arritur t’i gjejnë varrezat masive, përkatësisht personat e zhdukur që janë në atë varrezë.

Sipas tij, nëse Veljko Odaloviq, kryetar i Grupit Punuese të Komisionit të Serbisë po të kishte qenë bashkëpunes, do të ishin gjetur personat e pagjetur. Ndërsa, theksoi se Odaloviq është i përfshirë në politikë dhe se krahas asaj që është kërkuar largimi i tij nga Komisioni, ai nuk është larguar.

“I keni deklaratat politike kur zoti Odaloviq për veriun e Kosovës ka thënë le të largohen amerikanët sepse ne ju vrasim apet”, theksoi Hoti.

 

20:30

Hoti: Nga 13 lokacione të kontrolluara këtë vit në Kosovë, shtatë prej tyre kanë qenë me gjetje

Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nga 13 lokacionet që janë hapur këtë vit nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, shtatë prej tyre kanë qenë me gjetje.

“Sa i përket Komisionit Qeveritar, sa i përket punëve ose aktiviteteve në territor të Republikës së Kosovës, besoj që e keni pa edhe në media që lokacioni i trembëdhjetë veçse është hap, i cili është në Tusus të Prizrenit, lagjja Tusus, varrezat e qytetit janë ato atje dhe ne kemi hasë në gjetje që potencialisht janë të viktimave të listës të personave të zhdukur, disa prej personave. Mirëpo duhet verifiku e para nëse janë 100% të listës të personave të zhdukur, e dyta numrin e saktë të personave të zhdukur dhe e treta identifikimet se kush mund të jenë këta persona”, tha Hoti.

Ai shtoi se duhet pritur rezultatet e laboratorit të krahasimeve të ADN-së së gjakut.

“Natyrisht që duhet të pritë rezultatet e laboratorit të krahasimeve të ADN-së gjakut, domethënë të familjarëve me këto mostra, i cili vjen prej Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur që gjendet në Hagë. Prej këtyre trembëdhjetë lokacioneve, brenda këtij viti në Kosovë, shtatë prej tyre kanë qenë me gjetje. Para këtij lokacioni që e thashë më herët është Tusus, kemi kemi qenë në lokacionin Prekaz, i cili edhe ditë vendim do të vazhdojë”, shtoi Hoti.