1 perditesime
21:19

Ilazi: Ka kryesues të kuvendeve komunale që s’kanë ditur se duhet të mbajnë konsultime publike

Hulumtuesi nga Iniciativa për Progres (INPO), Valmir Ilazi, ka theksuar se kanë gjetur se ka kryesues të Kuvendit apo të asamblesë, të cilët fare nuk e kanë ditur që duhet të mbajnë konsultime.

“Komuna i ka të gjitha kushtet e nevojshme për të zhvilluar një konsultim apo një debat publik, në muajin e kaluar kemi publikuar një doracak, i cili do t’i shërbejë komunave, i cili titullohet “5 hapa për konsultime publike”, ne në takimet me komunat kemi hasur në komuna të cilat fare nuk e kanë ditur madje që duhet të mbahen konsultime publike, po flas për Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike edhe përgjegjësitë, i cili thotë që pasi që kryetari ta dërgojë në Kuvend apo në asamble buxhetin për miratim asambleja komunale detyrohet që deri më 30 shtator të mbaj konsultime publike, ne kemi gjetur se ka kryesues të Kuvendit apo të asamblesë të cilët fare nuk e kanë ditur që duhet të mbajnë konsultime”, ka deklaruar Ilazi në emisionin “Tempus” në KTV.

Sipas Ilazit, arsyeja pse të njëjtit duhet të mbajnë konsultime ishte që kuvendi nuk mund t’u besonte kryetarit dhe komunës verbërisht.

21:11

Ilazi: Raporti i Progresit rekomandon që t’i jepet më shumë pavarësi OSHP-së

Hulumtuesi nga Iniciativa për Progres (INPO), Valmir Ilazi, ka theksuar se Raporti i Progresit rekomandon që sa më parë Qeveria ta miratojë ligjin e ri për prokurimin publik dhe që ai ligj t’i japë më shumë pavarësi Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

“Kjo është edhe rekomandim tjetër i Raportit të Progresit nga i cili rekomandon që sa më parë pa humbur kohë që Qeveria të miratojë edhe Ligjin e ri për Prokurimin Publik, sepse siç thuhet në raport ky ligj nuk është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian. Ky ligj nuk dihet, neve të jemi pjesë e grupit më saktësisht nuk dihet se çfarë po ndodh me të do të thotë Qeveria nuk dihet nëse e ka prioritet një ligj të ri edhe pse i ka nisur pra procedurat për një ligj të ri”, ka deklaruar Ilazi në emisionin “Tempus” në KTV.

Sipas tij, rekomandimi vë në pah që Ligji i ri për prokurim publik duhet t’i japë më shumë pavarësi Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Një ligj i ri në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian dhe me rregullat e përgjithshme të Bashkimit Evropian do të ishte më se e nevojshme, gjithashtu ky rekomandim e vë në pah që Ligji për Prokurim Publik i ri t’i jep më shumë pavarësi Organit Shqyrtues të Prokurimit, pra thotë që ka kompetenca por të ketë më shumë kompetenca në mënyrë që të jetë plotësisht i pavarur”, ka deklaruar Ilazi.