Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Ministria e Drejtësisë (MD) po bën përpjekje për të kapur Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Miftaraj tha se ky Këshill vetëm sundimin e ligjit nuk e ka parim, bazament apo mision dhe këtë gjë e thonë raportet ndërkombëtare në vazhdimësi.
“E kemi një Këshill Prokurorial i cili është skajshmërish i politizuar, flas gjithmonë në bazë të raporteve ndërkombëtare. E kemi një sistem prokurorial që është i bazuar në baza koorporatiste, një sistem prokurorial i cili e ka të zhvilluar tejmase kulturën e pandëshkueshmërisë’, tha Miftaraj.
Ai tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk udhëhiqet nga parimet e llogaridhënies, që do të siguronte paanshmëri, por këshill që sundimin e ligjit nuk e ka parim.
“Unë kam besu fuqishëm që në draftin e parë të ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ministria e Drejtësisë me të vërtetë nuk e ka pasur për qëllim ta kapë sistemin prokurorial, se kemi punu shumë në atë ligj dhe qëllimi ka qenë me përmirësu sistemin prokurorial. Por, në momentin që Ministrisë së Drejtësisë i dështon ky ligj në Gjykatën Kushtetuese dhe e propozon ligjin e ri me 19 anëtarë, atëherë e kam të pamundshme me mbrojt më këtë Ministri të Drejtësisë, partinë në pushtet e të them se s’po don me kapë Këshillin Prokurorial”, shtoi Miftaraj.
“Kemi fituar bindjen që pushteti po harton projektligje populiste për t’u rrëzuar në Kushtetuese”
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është fituar bindja që pushteti po harton Projektligje populiste, që më pas të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese.
“E kemi fitu një bindje që hartojnë ligje që me qëllim pastaj të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese me marrë si argument pastaj se opozita ata në njëfarë mënyre po i kundërshtojnë politika që janë në dobi të qytetarëve. Unë besoj që asnjë ministër, asnjë parti që është në pushtet nuk do duhej të miratojë ligje populiste, të cilat në popull tingëllojnë mirë, por që i cenojnë parimet bazë të Kushtetutës”, tha Miftaraj.
Ai tha se është i bindur që shumë ligje do të kthehen nga Gjykata Kushtetuese, por pret që Qeveria të ndërrojë qasjen ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe atyre të rregullta.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.