1 perditesime
22:10

Miftaraj: Udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri, s’është në pajtim me ligjin

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri, nuk është në pajtim me ligjin.

“Kjo tregon paradoksin e kësaj Qeverie, sepse nëse kjo Qeveri ka vullnet politik për ta përmbushur një kriter që ka përcaktuar në këtë rast Bashkimi Evropian që të kemi zgjedhje në veriun e Kosovës, atëherë Qeveria do të kalkulonte se cili është interesi në radhë të parë financiar i Republikës, por edhe interesi qytetar në atë pjesë. Nëse interesi financiar është që të mos ketë shpenzime për zgjedhjet e reja, peticione, të ruhet buxheti i Republikës së Kosovës, atëherë iu kërkon me mirësjellje kryetarëve të komunave që të ofrojnë dorëheqje, t’iu hapet rrugë zgjedhjeve të reja. Po, nëse qëllimi është të prolongohet dialogu ose të shpenzohet paraja publike pa nevojë, atëherë e fillojmë me udhëzim administrativ i cili në bazë të gjetjeve tona nuk është në pajtim me ligjin për zgjedhjet e as me Kushtetutën”, tha Miftaraj.

Tuje, Miftaraj tha se fakti që serbët lokalë kanë deklaruar që nuk do të marrin pjesë për ta nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarëve në veri, tregon për mungesën e vullnetit politik të kësaj Qeverie për të përmbushur një kusht që iu është vënë.

“Nëse iu shtohet kësaj fakti, që kemi deklarata publike të serbëve lokalë në pjesën veriore që nuk do të marrin pjesë për të nënshkruar peticionin, domethënë 20 përqindëshin që do t’i hapte rrugë pastaj referendumit për t’i shkarkuar katër kryetarët, në njëfarë mënyre e tregon edhe mungesën e vullnetit politik të kësaj Qeverie për të përmbushur një kriter, një kusht që e kanë vënë”, tha ai.

 

21:09

Miftaraj: Agjenda evropiane, nuk u dëgjua në dy vjetët e fundit

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nga Qeveria Kurti 2 nuk është dëgjuar agjenda evropiane në dy vjetët e fundit, e sipas tij kjo agjendë do duhej të ishte pikënisje e Qeverisë.

“Nëse qytetarët i pyesim se kur e keni dëgjuar për herë të fundit fjalën ‘agjendat evropiane’, unë dyshoj se u dëgjua dy vjetë e fundit, do të thotë pikënisje, debat i kësaj Qeverie do të duhej të ishte plotësimi i agjendës evropiane, integrimi evropian”, tha Miftaraj.

Tutje, Miftaraj sqaroi se IKD-ja dhe organizata tjera, kanë harruar se kur janë ftuar nga Qeveria për të diskutuar lidhur me agjendën evropiane.

“Ne si IKD po besoj edhe OJQ-të tjera, kemi harruar se kemi pas takimin e fundit për të folur se ku jemi me agjendën evropiane, do të thotë nuk po flasim më për të avancu integrimin evropian, po sot temë e lryeministrit të kësaj Qeverie është që do të jetë sukses i jashtëzakonshëm nëse arrijmë t’i bindim partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian, me i heq masat ndëshkuese të cilat i janë vënë Kosovës që me përkthyer në gjuhën popullore është një status-quo, një frenim një ngrirje e raportit kontrakutal mes Kosovës dhe Bashkimi Evropian”, shtoi Miftaraj.