TEMPUS

Alija: S’kemi persona përgjegjës për masakrën e Dubravës

Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, në emisionin “Tempus” në KTV tha se është zhgënjyese që ende nuk kemi persona përgjegjës për masakrën e Dubravës, përfshirë ministrin e Drejtësisë të asaj kohe.

“Duke ditur që në Kosovë i kemi pasur disa filtra të themi të drejtësisë, qoftë Drejtësinë Ndërkombëtare, duke filluar prej tribunalit ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, pastaj UNMIK-un, EULEX-in, Prokurorinë vendore tani gjyqësorin vendor, të gjithë këto institucione e kanë hetuar këtë masakër, por rezultatet janë zhgënjyese. Pra, ne nuk kemi persona përgjegjës siç e përmendi dhe zotëri Zogaj, ministrin e Drejtësisë, i cili me urdhër të tij janë tubuar të gjithë të burgosurit qoftë nga Kosova, qoftë nga Serbia ku kanë qenë mbi 1 mijë persona, të cilët janë mbledhur pak para fillimit të bombardimeve dhe pak pas fillimit të bombardimeve”, tha ai.

Avokati Alija tha se Fondi për të Drejtën Humanitare, në vitin 2010 kishte ngritur kallëzim penal ndaj 34 personave përgjegjës në Prokurorinë e Serbisë.

“Ne si Fondi për të Drejtën Humanitare në vitin 2010 kemi ngritur kallëzim penal kundër 34 personave përgjegjës me emër dhe mbiemër në prokurorinë në Serbi, duke përfshirë dhe ministrin e Drejtësisë dhe zëvendësministrin e Drejtësisë dhe persona të tjerë, këto kallëzime penale janë publike në faqen e Fondit për të Drejtën Humanitare, por ende nuk është iniciuar ndonjë asnjë procedurë nga Prokuroria e Serbisë për këtë masakër”, shtoi ai.