TEMPUS

Miftaraj: “Vetëmenaxhimi” i jep kompetenca shtesë komunitetit serb në tri fusha

Drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se “vetëmenaxhimi”, i jep kompetenca shtesë komunitetit serb në arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik.

“Sipas asaj çka unë e kuptoj këtë dhe aq sa e kam pa nga deklarimet që kanë pas partnerët ndërkombëtarë, me takimet që i kemi pas me partnerët ndërkombëtarë para takimit të 27 shkurtit, unë besoj që kjo nënkupton që mbase Kosova do të jep ndoshta kompetenca shtesë serbëve lokalë në kuptim të menaxhimit komunal, e këto kompetenca shtesë do të jenë kryesisht në 3 fusha që janë arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik, domethënë 3 fusha në të cilat mund të jenë apo mund të akomodohen lehtësisht në bazë të kartës evropiane sa i përket vetëqeverisjes së komuniteteve joshumicë në Kosovë”, theksoi Miftaraj.

Sipas tij, në anën tjetër Kosova do të themelojë një Asociacion, i cili në radhë të parë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive ashtu siç e ka kërkuar ose po e kërkon pala tjetër, por që ndoshta mund të jetë një Asociacion ku do të ketë karakter këshillëdhënës, karakter koordinues, i cili në njëfarë mënyre tha se do t’i koordinojë komunat me shumicë serbe në kuptim të ofrimit të ekspertizës ligjore, ekspertizës në fushën ekonomike, të arsimit apo në fusha të tjera.