1 perditesime
21:41

Demolli: E drejta e grave për të krijuar familje pa u martuar me një burrë është e drejtë kushtetuese

Drejtoresha ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, ka thënë se me Kushtetutën e Kosovës garantohet e drejta e grave për të krijuar familje pa qenë të martuar me një burrë.

“Ne do të donim që të kthehet edhe të specifikohet e drejta e grave për tu bërë familje pa qenë të martuara me një burrë, është një e drejtë tashmë kushtetuese, deshën apo s’deshën, i pëlqeu apo s’i pëlqeu dikujt Kushtetuta e Kosovës. Duhet të ketë parasysh jo vetëm në këtë aspekt po me siguri do të flasin edhe për Kodin Civil, Kushtetuta e Kosovës njeh edhe martesat tjera, dhe e njeh familjen jo të tillë siç e përshkruaji sociologu edhe njeh edhe forma tjera të familjes”, ka theksuar Demolli.

Ajo në emisionin “Tempus” në KTV ka thënë se deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ishte e para që kishte folur për të drejtat e grave në Parlamentin e Kosovës.

“E kemi mbështetur Sarandën sepse ka qenë një fjalim për neve tepër është hera e parë që ka fol dikush në këtë mënyrë për të drejtat e grave në Parlamentin e Kosovës edhe e ka thanë ka mbrojt një kategori të grave siç janë ‘single mothers’ ose nënat vetushqyese dhe ka qenë tepër e domosdoshme”, është shprehur Demolli.

21:03

Demolli: E padrejtë, ofenduese e seksiste, mënyra si u fol për ligjin për shëndetin riprodhues

Drejtoresha ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, ka thënë se si organizata për të drejtat e grave, nuk janë konsultuar nga Qeveria rreth Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar.

Ajo në emisionin “Tempus” në KTV ka thënë se ky ligji është i rëndësishëm.

“Ky ligj është tejet i rëndësishëm dhe se shpeshherë po ndodh që disa ligje që janë tejet të rëndësishme të shkojnë në Parlament dhe të nisë një diskutim gati edhe me urrejtje dhe të plotësohet pastaj me një urrejtje të vetë Parlamentit”, ka thënë Demolli.

Ajo ka shtuar se kanë kuptuar për ligjin vetëm përmes paraqitjes së nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci, dhe janë alarmuar për gjuhën që është përdorur në Kuvend.

“Një numër i madh i organizatave kemi pasur edhe një reagim, sepse ka qenë e padrejtë, ofenduese, seksiste mënyra qysh është folur për ligjin, po edhe mënyra si i janë drejtuar Sarandës edhe në Parlament edhe më pastaj në media e portale në të gjitha këto aspekte”, ka thënë ajo.

Demolli po ashtu ka deklaruar se ky ligj nuk është në favor të grave sepse nuk është marrë mendimi i tyre për të.

“Nuk themi që ky ligj ka qenë në favor të grave sepse nuk ka qenë publik dhe nuk është marrë mendimi jonë dhe pastaj e kemi analizuar, nuk e ka perspektivën gjinore dhe perspektivën e grave sepse është konfuz në disa raste, dhe do të donim që ky ligj të kthehej në ministri dhe të konsultohemi edhe ne si organizata aktive të grave”, ka theksuar Demolli.


Demolli: S’ka një martesë më të barabartë se një tjetër, Kosova s’ka pasur legjislaturë më patriarkale

Duke folur për Projektkodin civil, Demolli, ka thënë se kanë parë diskriminim, pasi sipas saj, nuk ka një martesë më të barabartë se një tjetër.

“Do donim që Kosova ta kodifikonte një Kod civil, sepse është tejet e rëndësishme, por jo në këtë mënyrë si ka dashur të kalojë. Nuk ka një martesë më të barabartë se një tjetër, nuk ka një person më të privilegjuar se një person tjetër. Këtë nuk e thotë Kushtetuta e Kosovës, Kushtetuta e njeh këtë të drejtë dhe nuk e vendos një martesë, nuk e zvogëlon krahas një martese tjetër, prandaj bashkësia civile ka qenë krejt e panevojshme të përkufizohet në një mënyrë të tillë sepse Kushtetuta e Kosovës e njeh bashkësinë paramartesore dhe e rregullon”, është shprehur Demolli.

Ajo ka thënë se legjislatura aktuale e Kosovës është shumë patriarkale dhe se të tillë Kosova nuk ka pasur më parë.