Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV tha se mediat e huaja ndërkombëtare kanë edhe zyra ligjore që ofrojnë këshilla, mirëpo angazhimi i tillë i juristëve në Kosovë sipas tij, duket të jetë problematik.
“Nuk e di sa kanë mediat juristë të angazhuar, mirëpo më pastaj ndërlidhet edhe aspekti i financave sa kanë pavarësi financiare, sa kanë mundësi financiare për të angazhuar këta juristë”, tha Shala.
Tutje, Shala tha se edhe kur shohim aspektin institucional, vërejnë mangësi si raste kur KPM-ja nuk dihet se a ka shqiptuar ndonjëherë gjoba dhe se edhe nëse janë shqiptuar, lartësia e atyre gjobave nuk i disiplinon mediat.
“Kur shohim aspektin institucional edhe këtu shohim praktika të ndryshme si shembull KPM-ja nuk e di nëse ka shqiptuar ndonjë gjobë për cenim të të dhënave personale, mirëpo përgjithësisht niveli i gjobave të shqiptuara nga KPM-ja definitivisht se nuk arrin t’i disiplinojë mediat”, deklaroi Shala.
Shala përmendi edhe mosefikasitetin e gjykatave në Kosovë që t’i trajtojnë këto raste lidhur me shkeljen e privatësisë, e që sipas tij nëse do kishte një trajtim adekuat në kohë edhe për mediat pastaj do të krijohen një praktikë se si të veprohej në rastet të tjera.