1 perditesime
21:04

Berisha: Gjobat e KPM-së nuk i kanë disiplinuar mediat

Besnik Berisha, anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se gjobat e shqiptuara nga ky Komision nuk kanë ndikuar në disiplinimin e mediave.

“I kemi evidentuar te KPM-ja këto dy dobësi ta quajmë ashtu. Ankesat normalisht funksionojnë, dërgohet ankesa, është ueb-faqja e KPM-së dhe sigurisht që ajo trajtohet. Ne gjatë punës tonë nuk është që kemi pranuar shumë ankesa, ky është pak një problem, pjesërisht ndoshta është edhe përgjegjësi e jona sepse kemi parë që ka nevojë që ne si KPM të avancojmë së pari me ueb-sajtin që të ketë më shumë pamje, më shumë transparencë dhe interaktivitet me qytetarët. Pastaj, t’ua bëjmë me dije më tutje, ata veçse e kanë të drejtë, ankesat janë shumë të mirëseardhura në KPM. Mirëpo, ne dëshirojmë të tregojmë një nivel më të avancuar të trajtimit të ankesave, jemi duke punuar në këtë drejtim dhe besoj se, prapë po lidhem te Plani i Punës që e kemi bërë. E kemi identifikuar edhe këtë mangësi, gjobat nuk kanë qenë disiplinuese për mediat. Kemi kërkuar që të ketë një dinamikë ose një limit prej momentit kur identifikohet një shkelje e deri në momentin kur trajtohet ajo mos të zgjasë me muaj të tërë”, tha Berisha.

20:33

Berisha nga KPM-ja: Jemi të kënaqur sa i përket mbrojtjes së privatësisë nga mediat

Besnik Berisha, anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) tha se bazuar në monitorimin që e bëjnë, janë të kënaqur me mbrojtjen e privatësisë nga ana e mediave.

Ai tha se KPM-ja e ka departamentin e monitorimit të mediave dhe se mediat që operojnë në Kosovë janë të licencuara nga KPM-ja dhe janë të obliguara t’i përmbushin obligimet në licencë.

“Krahas licencës që kanë dhe obligimeve specifike të cekura aty, sigurisht që janë të obliguar t’i respektojnë të gjithë legjislacionin primar dhe sekondar, domethënë edhe rregulloren e KPM-së”, tha Berisha.

Berisha theksoi se KPM ka një Kod të etikës, i cili nuk është freskuar nga viti 2016, por se sipas tij është Kod që ka rregulla të caktuara.

“Në KPM kemi fjalë të mira për mediat, por kemi edhe rezerva në disa raste. Konkretisht për temën që kemi ardhur të flasim, qëndrojnë relativisht mirë, jemi të kënaqur, në bazë të rezultateve që i kemi në bazë të monitorimit që bëjmë. Vitin e kaluar janë bërë disa monitorime, të cilat kanë pasur për qëllim të evidentojnë shkelje të ndryshme, por në disa raste edhe shkeljet në raport me privatësinë ose të drejtat e njeriut. Pothuajse 99% e rezultateve kanë qenë pozitive, domethënë ne kemi qenë të kënaqur me rezultatet dhe gjetjet e KPM-së janë që mediat kanë raportuar në mënyrë të duhur”, tha Berisha.