Basri Kastrati, zëvendës i Avokatit të Popullit tha se Institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur rast lidhur me çështjen e obligimit të të moshuarve që të lajmërohen se a janë gjallë.
“Avokati i Popullit e ka përcjellë me shqetësim këtë gjendje dhe ka hapur rast dhe sigurisht brenda një kohe të shkurtër do ta publikojë, është pra në dorën e avokatit që t’i drejtohet institucioneve përkatëse që kjo e drejtë të mos shkelet për personat e moshuar”, tha Kastrati të martën në “Tempus”.
Ndër të tjera Kastrati shtoi se kanë pasur reagim edhe për qasjen e personave me aftësi të kufizuar.
“Por, të njëjtën kohë kemi pasur edhe një reagim për shkak të qasjes së personave me aftësi të kufizuara në institutin ku raportohen pensionistët edhe aty është qasja në aspektin fizik i pamundësohet asaj kategorie”, tha ai.
Tutje, Kastrati tha se Avokati i Popullit nuk do të ndalet në këtë drejtim sa i përket raportimit të shkeljeve dhe të drejtave të njeriut kudo që ndodhin në Kosovë, e sidomos për kategorinë e të moshuarve.
“Kemi pasur rastin e fundit që ndodhi në Pejë, edhe atë Avokati i Popullit ka hapur rast ex-officio apo sipas detyrës zyrtare dhe është në vlugun e punëve për të marrë informata se cila hallkë e sistemit ka dështuar”, tha Kastrati.