TEMPUS

Hoxha: VV-ja sa ishte në opozitë përkrahte punëtorët, tash kopjon ligjin e Thaçit e fjalët e Hotit

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Taulant Hoxha, thotë se në vitin 2012, kur është aprovuar ligji për grevat në pushtet ka qenë Partia Demokratike e Kosovës, me kryeministër Hashim Thaçin, ndërsa në vitin 2015 në qeverinë e Isa Mustafës, Avdullah Hoti ishte Ministër i Financave, kishte dalë publikisht duke thënë se pagat duhet të ndalen.

Ai ka shtuar se gjithë këtë kohë, Vetëvendosja e ka mbajtur anën e punëtorëve, sepse i ka konvenuar për qëllime politike, ndërsa aktualisht sipas tij, po kopjon ligjin e Thaçit dhe fjalët e Hotit.

“Tash ka ndërruar komplet skena politike ku Vetëvendosja e kopjon ligjin e Thaçit dhe fjalët e Avdullah Hotit, ndërsa të njëjtit, LDK dhe PDK, të cilët e kanë miratuar këtë ligj dhe kanë dalë publikisht duke thënë se sipas këtyre dispozitave pagat do të ndalen, kundërshtojnë. Tash thonë se do t’iu padisim në gjykatë. Jemi bërë viktimë e lojërave politike të njerëzve të cilët në fund të ditës llogaritë i bëjnë me vota, sa arsimtarë i kam në trupin votues, sa vota i kam në elektorat, po dalë sot po flasë të iu ndihmoj pak arsimtarëve, apo të bëhem kundërshtarë”, ka thënë Hoxhaj në “Tempus”.

Ai theksoi se problem është ligji aktual, dhe është tjetër diskutim nëse duhet të ndryshohet ky ligj.