Kompania ZTE është bërë prodhuesi i parë i smartphonëve në Kinë që prezanton një pajisje 5G.
Bëhet fjalë për smartphonein Axon 10 Pro 5G, i cili u paralajmërua qysh në shkurt në Mobile World Congress. Telefoni ka një ekran 6,47-inçësh 1080p AMOLED dhe një nga modemet e gjeneratës së parë të Qualcommit X50 5G për t'u lidhur me rrjetin e ardhshëm mobil kinez 5G.
Edhe pse blerësit në Kinë tashmë mund ta blejnë Axon 10 Pro 5G, ata megjithatë nuk do të kenë qasje në rrjetin 5G deri në tetor, kur China Mobile do ta fillojë shërbimin komercialisht, shkruan KOHA Ditore. Në kompaninë China Mobile shpresojnë që rrjeti 5G do t’i mbulojë më shumë se 50 qytete deri në fund të këtij viti. Dy provajderë të tjerë kinezë, China Telecom dhe China Unicom, gjithashtu kanë marrë licenca për rrjetin komercial 5G.
Kështu, ZTE e ka tejkaluar rivalin Huawei dhe në tregun vendor e ka lansuar pajisjen 5G. Mate 20 X 5G i Huawei pritet të arrijë në Kinë më 16 gusht, edhe pse pajisja ka mbërritur në vende të tjera si në Britani të Madhe.
Prodhuesit kinezë OnePlus dhe Oppo tashmë i kanë pajisjet e tyre 5G në vendet e tjera, dhe këto janë OnePlus 7 Pro 5G dhe Oppo Reno 5G.