Google njoftoi në shkurt se e ka shtuar kompatibilitetin FIDO2 në Android, duke i afruar përdoruesit më afër opcionit për t’i larguar nga përdorimi fjalëkalimet. Microsofti tani ka njoftuar se edhe Windows Hello i kompanisë e ka marrë certifikimin FIDO2.
Microsofti thekson se Windows Hello u mundëson përdoruesve të Windows 10 që të logohen në pajisje me ndihmën e metodave biometrike ose PIN-it, dhe se fjalëkalimet nuk janë të nevojshme qysh nga viti 2015, raporton HotHardware.
Fido Alliance njoftoi se azhurnimi i ardhshëm Windows 10 May 2019 Update (versioni 1903) do ta bëjë Windows Hello FIDO2 një verifikues të certifikuar. Me këtë karakteristikë, developerët mund t’i përdorin protokollet dhe pajisjet e standardizuara për t'iu siguruar përdoruesve verifikim më të lehtë për shërbimet online. Kjo do të funksionojë si në mjediset desktop ashtu edhe ato mobile, shkruan KOHA Ditore.
Microsofti aktualisht po i inkurajon përdoruesit afaristë që të fillojnë me mbështetjen për çelësat kompatibilë të sigurisë FIDO2, për logim në llogaritë e tyre. Microsoft Authenticator gjithashtu mund të përdoret për verifikimin e llogarisë Microsoft, me ndihmën e aplikacionit në telefon.