Studiuesit kanë zbuluar meteorin e parë të njohur ndëryjor që ka goditur ndonjëherë Tokën, sipas një dokumenti të Komandës Hapësinore të Shteteve të Bashkuara të publikuar së fundmi, raportoi CNN-i të mërkurën.
Një meteor ndëryjor është një shkëmb hapësinor që e ka origjinën jashtë sistemit diellor - një dukuri e rrallë.
Ky është i njohur si CNEOS 2014-01-08 dhe u përplas përgjatë bregut verilindor të Papua New Guinea më 8 janar 2014.
Zbulimi erdhi si befasi për Amir Sirajin, i cili e identifikoi objektin si një meteor ndëryjor në një studim të vitit 2019.
Siraj po hetonte 'Oumuamua, objektin e parë të njohur ndëryjor në sistemin tonë diellor që u gjet në vitin 2017, me Abraham Loebin, profesor i shkencës në Universitetin e Harvardit.
Siraj vendosi të kalonte nëpër bazën e të dhënave të NASA-s për Studimet e Objekteve Afër Tokës për të gjetur objekte të tjera ndëryjore dhe gjeti atë që ai besonte se ishte një meteor ndëryjor brenda disa ditësh.
Shpejtësia e lartë e meteorit është ajo që fillimisht i ra në sy Siraj. Meteori po lëvizte me një shpejtësi të lartë prej rreth 45 kilometra në sekondë në krahasim me Tokën, e cila po lëviz me rreth 30 kilometra në sekondë rreth Diellit.
Pas vitesh përpjekjesh për të marrë informacionin shtesë të nevojshëm, Siraj dhe Loeb morën konfirmimin zyrtar se ishte në fakt, një meteor ndëryjor, nga John Shaw, zëvendëskomandant i Komandës Hapësinore të SHBA-së.
Komanda është pjesë e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe është përgjegjëse për operacionet ushtarake në hapësirën e jashtme.