Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Twitteri ndryshon sërish dizajnin e ri të ngjyrave pas ankesave të përdoruesve

Twitteri është duke rregulluar nivelin e ndriçimit dhe ngjyrave pas reagimeve në lidhje me përditësimet e tij të dizajnit që bëri në fillim të javës. Disa njerëz kanë raportuar tendosje të syve, dhimbje koke dhe migrenë për shkak të ndriçimit më të lartë vizual në ngjyrat e butonave dhe linqeve, si dhe fontit të ri, Chirp.

Ndryshimet në kontrast përfshinin gjithashtu një buton të zi që paraqitet nëse nuk ndiqni dikë, gjë që ka shkaktuar konfuzion për shumë njerëz që janë mësuar të jetë i bardhë. Nuk është ende e qartë nëse ky ndryshim do të hiqet.

Ka të ngjarë që disa përdorues të Twitter të ishin mësuar me azhurnimin me kalimin e kohës. Por për ata që thonë se dizajni i ri u ka shkaktuar dhimbje, ndryshimi nxori në pah një problem të zakonshëm në qasjen në internet: mungesën e zgjedhjes, raporton TheVerge.

Ndriçimi i lartë në ekran është shpesh i dobishëm për njerëzit që kanë shikim të ulët ose kanë problem në dallimin e ngjyrave, por mund të jetë e dhimbshme për njerëzit që janë të ndjeshëm ndaj ngjyrave të ndritshme ose dritës.

Mund të mos kishte reagim të tillë negativ, nëse përdoruesit do të kishin mundësi për ta bërë zgjedhjen që duan për nivelin e ndriçimit, në vend se kjo të përcaktohej nga Twitteri.