Kompania kosovare e cila merret me krijimin e lojërave për pajisje mobile iOS dhe Android, Trigonom ka njoftuar se ka arritur mbi 5 milionë shkarkime të të gjitha aplikacioneve të saja në të dyja tregjet, duke përhapur kështu kualitetin e produkteve të krijuara në Kosovë gjithandej botës.
Një prej titujve të parë të Trigonomit është loja “Haluci”, e cila me karakterin e saj të krijuar e të lansuar pas më shumë se dy viteve punë arriti të marrë pas vetes me mijëra përdorues. Pas kësaj kompania lansoi tituj tjerë të suksesshëm si “Alfabeti në Shqip”, prej të cilit u krijuan edhe alfabete për gjuhë të ndryshme të botës si Anglisht, Gjermanisht, Turqisht e madje edhe Japonisht e Arabisht. Me produkte në Play Store dhe App Store, Trigonom ka krijuar një komunitet të tërë rreth vetës, të cilët njohin punën e veçantë të kompanisë dhe të cilët e konsiderojnë si një prej kompanive më unike në këto tregje kur është fjala për krijimin e produkteve që edukojnë, argëtojnë e nxisin memorien.

Duke pasur parasysh miliona shkarkimet anembanë botës, Trigonom ka vendosur të lansojë një lojë të re të quajtur GON, një lojë e cila është krijuar enkas për të trajnuar memorien dhe për të nxitur vëmendjen e lojtarit, të mbaj në mend radhitjen e ngjyrave në figurat e ndryshme gjeometrike që shfaqen në ekran dhe më pas të kujtojë renditjen e tyre.
GON, e krijuar për iOS dhe Android, ka një dizajn minimal dhe ofron një sërë nivelesh, formash gjeometrike e sfidash për lojtarët, të cilët ata mund t’i hapin gradualisht gjatë lojës, gjersa bëjnë pikë dhe i ruajnë ato në tabelën e lojtarëve. Secili nivel është krijuar për të nxitur koncentrimin, reagimin dhe memorien.
Shkarko lojën GON për iPhone:
https://itunes.apple.com/al/app/gon-memory-game/id1359110878
ose Android:
https://play.google.com/store/apps/details?id=games.trigonom.gon&hl=en