Rrjeti social Threads, në pronësi të kompanisë Meta, ka tejkaluar për herë të parë rivalin X (ish-Twitter), platformë në pronësi të Elon Musk, sa i përket numrit të përdoruesve ditorë me telefon në mbarë botën. Kështu bëjnë të ditur të dhënat e kompanisë analitike Similarweb, të raportuara nga Forbes.
Sipas këtyre të dhënave, në pjesën e parë të muajit janar, Threads ka regjistruar mesatarisht rreth 143 milionë përdorues aktivë ditorë me telefon, ndërsa X rreth 126 milionë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, Threads ka shënuar rritje prej 37.8 për qind, ndërsa audienca ditore mobile e X ka rënë me 11.9 për qind.
Situata paraqitet më e balancuar në Shtetet e Bashkuara, ku X-i mban ende epërsi të lehtë. Të dhënat e Similarweb tregojnë se në fillim të janarit, X kishte rreth 21.2 milionë përdorues aktivë ditorë me telefon në SHBA, krahasuar me 19.5 milionë për Threads.
Megjithatë, Threadsi po rritet më shpejt edhe në tregun amerikan, me rritje vjetore prej gati 42 për qind, ndërsa X ka shënuar rritje prej 18 për qind. Pavarësisht kësaj, X-i vazhdon të dominojë në përdorimin në desktop, ku tërheq rreth 150 milionë përdorues ose vizita ditore në nivel global, ndërsa prania e Threads në web mbetet e kufizuar, me rreth 9 milionë.
Forbes ka raportuar gjithashtu edhe për të dhënat e Similarweb lidhur me Bluesky, një tjetër platformë konkurrente e themeluar nga ish-krijuesi i Twitterit, Jack Dorsey. Dorsey u largua nga bordi i Bluesky në verën e vitit 2024 dhe më pas deklaroi se platforma po “bën të njëjtat gabime që ka bërë Twitter si kompani”. Bluesky hapi regjistrimet në vitin 2024 dhe aktualisht ka rreth 3.6 milionë përdorues ditorë me telefon, shifër kjo që përfaqëson një rënie prej 44.4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.