Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Teknologjia e njohjes së fytyrës - zgjidhje e problemit apo shkelje e privatësisë

Foto: Interesting Engineering / Screenshot

Duket sikur kamerat për njohje të fytyrës në publik janë e ardhmja, por ideja ka qenë tejet kundërthënëse qysh prej fillimit.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se e shqyrton mundësinë e zbatimit të ndalesës për përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës nëpër vende publike, proces ky që mund të zgjasë deri në pesë vjet, ka raportuar BBC.

Arsyeja e ndalimit të mundshëm është nevoja për të gjeneruar kohë shtesë në emër të krijimit të mekanizmave për ta parandaluar keqpërdorimin e kësaj teknologjie. Ai mundëson që në kohë reale të vërtetohen të gjitha fytyrat e regjistruara nga baza e të dhënave të policisë për të gjetur njerëz të cilët mund të jenë duke u kërkuar.

Kjo ndalesë e mundshme nuk do të zbatohej në disa projekte të sigurisë. Komisioni i përshkroi planet e veta në një dokument me 18 faqe, duke i paralajmëruar rregullat e reja që do t’i përmirësojnë rregulloret ekzistuese të privatësisë, shkruan Koha. Është sugjeruar gjithashtu që do të aplikohen rregulla të reja për njerëzit që e zhvillojnë teknologjinë e inteligjencës artificiale, si dhe për përdoruesit e teknologjisë.

Gjithashtu, vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u është rekomanduar që të krijojnë autoritete kompetente për ta monitoruar zbatimin e këtyre rregullave të reja. Ky propozim ndalimi vjen në një kohën kur politikanët dhe aktivistët në Britani të Madhe po kërkojnë që policisë t’i hiqet e drejta e kontrollit publik përmes përdorimit të teknologjisë së njohjes së fytyrës.

Aktivistët argumentojnë se teknologjia e tanishme është e pasaktë, ndërhyrëse dhe e shkel të drejtën e individëve për privatësi. Një studim gjithashtu zbuloi se algoritmet e njohjes së fytyrës janë shumë më pak të sakta kur është fjala për njohjen e fytyrave të personave me ngjyrë dhe atyre me prejardhje aziatike, se sa krahasuar me ato të qytetarëve të racës së bardhë.

Edhe BE-ja do ta shqyrtojë ndalimin e teknologjisë për identifikimin e fytyrës në vende publike Tech BE-ja do ta shqyrtojë ndalimin e teknologjisë për identifikimin e fytyrës në vende publike

Si funksionon kjo teknologji? Softueri i hartëzon të gjitha fotot nga urdhër-kërkimet e policisë dhe i krahason ato me xhirimet e marra nga kamerat në vendet publike. Nëse ndodh përputhja, programi dërgon njoftime në polici.

Ndërkohë, Qeveria kineze e ka filluar aplikimin e kësaj teknologjie në farmaci në Shanghai. Personave që blejnë ilaçe që përmbajnë substanca psikotrope do t’u kërkohet ta konfirmojnë identitetin e tyre përmes skanimeve të fytyrës.

Ky është hapi më i ri në një seri hapash nga shteti kinez për t’i parandaluar abuzuesit e mundshëm që të marrin ilaçe të caktuara që mund të përdoren për të prodhuar narkotikë të paligjshëm. Derisa vendet perëndimore mbeten ende të kujdesshme, Kina është e angazhuar fuqimisht për aplikimin dhe avancimin e kësaj teknologjie.