Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Së shpejti do të mundë të arrijë OnePlus TV

OnePlus është një kompani që është e njohur për telefonat e vet, por vitin e kaluar konfirmoi se planifikon të futet edhe në tregun e televizorëve të mençur. Detajet e televizorit që atëherë janë të pakta, ndërsa shumë prej tyre po pyesin nëse do të prezantohet fare, raporton “Ubergizmo”.

Tani informuesi Ishan Agarwal na sjell lajme të mira, ndërsa sipas burimeve të tij, paralajmërimi zyrtar i OnePlus TV pritet së shpejti. Nuk është përmendur ndonjë datë specifike, por është sugjeruar se deri në lansim nuk na ndan shumë kohë.

Për sa u përket specifikimeve, kjo është ende e panjohur, por Agarwal beson se ka gjasa të mëdha që nuk do të bëhet fjalë për OLED TV. Duke qenë se tregu i televizorëve të mençur është i dominuar nga veteranët, si Samsungu, LG, Sony dhe Panasonic, do të jetë interesante të shihet se çfarë mund të ofrojë kompania “OnePlus” në këtë fushë, shkruan KOHA Ditore.

Prodhuesi kinez në të kaluarën ishte mbështetur kryesisht në çmimin e volitshëm për t’i bërë produktet e veta më konkurruese, kështu që nuk do të ishte befasi nëse taktika e njëjtë do të aplikohej edhe në pajisjet televizive.