Një robot humanoid kinez ka hyrë në Rekordet Botërore të Guinnessit, pasi përfundoi një udhëtim treditorë prej 66 miljesh (rreth 106 kilometra), distanca më e gjatë që raportohet se ka ecur ndonjëherë një robot humanoid, transmeton “CBS News”.
AgiBot A2, i cili është rreth 1.68 metra i gjatë, nisi ecjen nga qyteti lindor kinez Suzhou në mbrëmjen e 10 nëntorit, duke përshkuar autostrada e rrugë qytetesh para se të arrinte në Bund, zonë historike e Shanghait më 13 nëntor, kanë njoftuar Rekordet Botërore të Guinnessit.
Prodhuesi i robotëve me seli në Shanghai, AgiBot, tha se roboti i tij “përshkoi sipërfaqe të ndryshme...duke iu përmbajtur rregullave të trafikut”, gjatë udhëtimit të tij të vazhdueshëm prej 66 miljeve.
Në videot e publikuara nga AgiBot shihet modeli A2 me ngjyrë argjendtë dhe zi duke ecur përgjatë një rruge pranë çiklistëve dhe personave që po ngisnin skuterë, përpara se ta rriste ritmin e tij dhe të ecte poshtë Bundit.
VIDEO:
Firmat teknologjike nëpër botë po investojnë shuma të mëdha në inteligjencën artificiale fizike, ndërsa Morgan Stanley parashikon se bota mund të ketë më shumë se një miliard robotë humanoidë deri në vitin 2050.
Qeveria kineze ka inkurajuar firmat vendase të zhvillojnë robotë humanoidë, me shpresën për ta pushtuar industrinë globale të robotikës.
Pekini në gusht organizoi lojërat e para botërore të robotëve humanoidë, ku më shumë se 500 “atletë” garuan në disiplina që variojnë nga basketbolli deri te pastrimi garues.
AgiBot thotë se A2 është projektuar për role shërbimi ndaj klientëve dhe është i pajisur me një funksion bisede dhe me aftësi për lexim të buzëve.
