Tech

Përdoruesit që zbulojnë defekte në ChatGPT mund të fitojnë deri në 20 mijë dollarë

Kompania OpenAI synon të shpërblejë ata që gjejnë gabime në chatbotin ChatGPT, shkruan DailyMail.

OpenAI ka njoftuar një program që do të shpërblejë ata që zbulojnë gabime në ChatGPT, shtojcat OpenAI, OPen AI API dhe shërbime të tjera të lidhura, me çmime në para që variojnë nga 200 deri në 20 mijë dollarë.

“Ne ju ftojmë të raportoni dobësitë, defektet dhe të metat e sigurisë që zbuloni në sistemet tona. Duke ndarë zbulimet tuaja, ju luani një rol të rëndësishëm për ta bërë teknologjinë tonë më të sigurt për të gjithë”, ka thënë kompania.

Ky program u njoftua pasi një gabim zbuloi titujt e bisedave të përdoruesve, mesazhin e parë në bisedat e reja, si dhe informacionin e pagesave të përdoruesve të shërbimit ChatGPT Plus.

OpenAI është nën presion për mënyrën se si mbron të dhënat e përdoruesve, veçanërisht kur bëhet fjalë për të miturit. ChatGPT është ndaluar në Itali pikërisht për këtë arsye. Këto çështje, si dhe një letër e hapur e nënshkruar nga Steve Wozniak dhe Elon Musk që bën thirrje për një ndërprerje gjashtëmujore nga zhvillimi i sistemit të AI, kanë shtyrë OpenAI të demonstrojë publikisht përkushtimin e saj ndaj sigurisë.

Shuma e parave të çmimit do të varet nga rëndëia e defektit, por ka rregulla të qarta. Tashmë në orët e para, u paguan disa shpërblime monetare për përdoruesit që gjetën defekte.