Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Përdorimi i internetit nga celularët në Shqipëri në tremujorin e dytë me rritje vjetore 34%

Shërbimi i komunikimeve të lëvizshme është gjithnjë e më e i orientuar tek interneti. Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në Shqipëri treguan se konsumi mesatar mujor i internetit gjatë tremujorit të dytë u rrit me 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Mbyllja e ekonomisë dhe kufizimet e lëvizjes që u shtrinë në pjesën më të madhe të tremujorit të dytë duket se kanë nxitur më shumë rritjen e përdorimit të internetit nga individët.

Mbyllja duket se ka sjellë një gjallërim edhe në trafikun e thirrjeve zanore nga rrjetet celulare. Pas disa tremujorësh në rënie, përdorimi mesatar mujor i thirrjeve u rrit me 8.7% krahasuar me tremujorin e parë, duke ngelur gjithsesi në rënie të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.

Kufizimi i lëvizjeve ndërkufitare mund të jetë gjithashtu një tjetër faktor që e ka ndikuar përkohësisht tregun, duke ulur edhe më shumë numrin e përdoruesve aktivë (të shprehura si karta SIM aktive), por edhe volumin total të thirrjeve nga rrjetet celulare.

Ulja e numrit të përdoruesve aktivë është një tendencë afatgjatë, që nisi në momentin kur AKEP ndaloi diferencimin e tarifave për thirrjet hyrëse dhe dalëse. Prej atëherë, shumica e përdoruesve nuk kishin më nevojë të mbanin disa karta SIM, për të four brenda rrjeteve përkatëse.

Përtej ndikimit të faktorëve kalimtarë, të dhënat dëshmojnë se rritja e tregut tashmë është zhvendosur në shërbimet e internetit. Aparatët smartphone kanë bërë që shumica e përdoruesve të lundrojnë në internet përmes telefonit, ndërsa aplikacionet e komunikimit si whatsapp ose viber kanë zëvendësuar masivisht mesazhet e shkruara, por pjesërisht edhe thirrjet zanore.

Edhe Shqiptarët gjetën ‘shpëtim’ nga izolimi tek interneti. Rritje 47% e përdorimit Tech Shqiptarët gjetën ‘shpëtim’ nga izolimi tek interneti. Rritje 47% e përdorimit

Kjo po rrit nevojën për investime dhe kapacitete transmetuese të internetit me brez të gjerë përmes këtyre rrjeteve. AKEP ka planifikuar që në muajin shtator të tenderojë brezat e parë të frekuencave për teknologjinë 5G. Zgjerimi në gjeneratën 5G megjithatë shtron edhe probleme të eficiencës dhe konkurrencës në treg.

Në vitet e fundit, vetëm operatori me fuqi dominuese në tregun e pakicës, Vodafone Albania, ka arritur të ruajë në vijimësi rezultat financiar pozitiv. Mungesa e fitimeve mund të kufizojë ndjeshëm mundëistë për investime të operatorëve të tjerë në frekuenca dhe teknologji, çka në afatin e gjatë do të çonte në forcimin e operatorit dominant dhe në çmime më të larta për përdoruesit. Në dy tenderët e fundit për frekuenca 4G të zhvilluara në vitet 2018 dhe 2019 (në brezin 800 Mhz), vetëm dy nga tre operatorët paraqitën oferta/Monitor.